Greva e Dytë për Pagat e Vonuara

20 punëtorët e pastrimit të kompanisë “Higjena Publike” në Deçan kanë hyrë sërish në grevë për mosmarrje të disa pagave.

Njëri nga punëtorët-grevistë Shaq Smajlaj gjendjen në kompaninë e pastrimit e cilësoi të tmerrshme.

“Këtu nuk di kush çka është kah bëhet, kjo është gjendje e tmerrshme çka po bëhet, kjo është katastrofë. Kjo me luajt dy-tre persona me 25 familje nuk e di a kanë shpirt, nuk mund ta paramendoj,” tha ai.

“Çështja e rrogave është problemi me i madh, se tash askush nuk del të punojë kur nuk merr rrogë.  Shërbime pa pare nuk kryen kurrkush. Kush mund të mbijetojë pa pagë,” u ankua Loshaj.

Sali Kuçi, drejtori i “Higjenës Publike” pranoi vonimin e pagave.

“Unë këtë kompani e kam pranuar me minus 8 paga, kam mbërri deri në 5. Punëtorët kanë marrë të premten pagën e shtatorit. Pritet që brenda 24 orëve ta marrin edhe një pagë,” tha drejtori Kuçi.

Kuçi tha se deri në fund të vitit kompania do t’ua japë punëtorëve të pastrimit edhe tri paga të prapambetura.

Por grevisti Shaqë Smajlaj tha se askush nuk do të punojë derisa të zgjidhet çështja e pagave.

“Në grevë jemi dhe as nuk ka shans mu dhezë kamion, as traktor, as bager në këtë vend pa u bërë zgjidhja,” tha Smajlaj.

Drejtori Sali Kuçi shpjegoi për KALLXO.com se kompania po ka vështirësi t’i sigurojë mjetet për pagat e punëtorëve, ngase ajo kujdeset për pastrimin e vetëm 33 për qind të territorit të Komunës së Deçanit, ndërsa është kompani vetëfinancuese.

Punëtorët-grevistë thanë se edhe Komuna e Deçanit u ka borxh për varrosjen e lopëve të ngordhura nga sëmundja gungore e lëkurës, ndërsa zyrtarët komunalë i thanë KALLXO.com se këtë borxh do ta paguajnë gjatë ditës.

Kreu i “Higjenës Publike” tha se zyrtarë të kompanisë janë në bisedime me përfaqësues të Komunës së Deçanit për kushtëzim të shërbimeve për qytetarët me pagesë të tyre për heqjen e mbeturinave.

Punëtorët e “Higjenës Publike” patën zhvilluar grevë edhe gjatë korrikut.

http://kallxo.com/punetoret-kerkojne-greve-5-pagat-e-vonuara/