Ilustrim, Foto nga KALLXO.com

Gjysma e tenderëve të KQZ-së ishin pa konkurrencë

Më shumë se gjysma e kontratave të prokurimit të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve (KQZ) nuk ishin aplikuar procedura të hapura të prokurimit.

Kryeshefi i sekretariatit Enis Halimi është arsyetuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme po i obligojnë që të përdorin procedura të negociuara të tenderimit.

Ai ka treguar se përkundër që në fillim të vitit 2017 ishin furnizuar me shumë materiale zgjedhore për zgjedhjet lokale të parapara për fund të vitit të kaluar, janë obliguar që të mos i shfrytëzojnë ato për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Halimi ka thënë se buxhetin e paraparë për zgjedhjet lokale nuk kanë mundur të shpenzojnë për zgjedhjet e jashtëzakonshme, për të cilat është kërkuar buxhet shtesë nga qeveria dhe rrjedhimisht është dashur të hapen procedura të reja të prokurimit.

Vonesat në zotimin e buxhetit, sipas tij ia pamundësojnë KQZ-së të nis procedura të prokurimit pasi KRPP nuk lejon inicimin e një tenderi nëse nuk është bërë zotimi i mjeteve.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa Lumir Abdixhiku thotë se numri i madh i tenderëve një-burimor ka qenë edhe vërejtje e dhënë nga Auditori i Përgjithshëm.

Deputeti Blerim Kuçi kërkoi nga KQZ që në bashkëpunim me KRPP dhe institucione të tjera të nxjerrin një rregullore të veçantë për këtë institucion që parasheh edhe mënyrën e prokurimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në vitin e kaluar, KALLXO.com ka analizuar shpenzimet e organizimit të zgjedhjeve parlamentare duke rezultuar me një rritje të shpenzimeve në krahasim me zgjedhjet paraprake.

https://kallxo.com/zgjedhjet-e-sivjetme-rrisin-shpenzimet/