Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Shtytje në Vetëvrasje të Shtetasit Slloven

Halit Bajraktari tha në gjykatë se e pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje, por jo edhe për shtytje në vrasje dhe dhënie të ndihmës në vetëvrasje.

“E pranoj fajësinë për veprën penale për armëmbajtje pa leje, ndërsa për veprën e dytë kurrsesi jo, deri sa të jam gjallë, sepse nuk është e vërtetë” tha i akuzuari Halit Bajraktari.

Bajraktari akuzohet nga prokuroria se i mori shtetasit slloven me inicialet B. P. 200 mijë euro për të hapur tri lokale, ndërsa pasi nuk i hapi ato, slloveni tentoi vetëvrasjen.

Në gjykatë dëshminë e tij e dha Avni Bajraktari, vëllai i të akuzuarit që ishte i pranishëm ditën kur B. P. tentoi të bëjë vetëvrasje në gushtin e vitit 2009.

Avni Bajraktari tregoi se shtetasi slloven kishte qëndruar një kohë të gjatë në shtëpinë ë vëllezërve Bajraktari, ndërsa shtoi se ai shpesh u sillte dhurata nga Sllovenia.

“Ai ka qëndruar në shtëpinë tonë pa qira, bile dhe në një dhomë më të kemi fjetur herë unë, e herë vëllai tjetër. Ne shqiptarët e kemi zakon që mysafirin mos me e lënë vetë, edhe pse kemi pasë edhe dhoma të tjera të lira”, deklaroi dëshmitari.

Prokurorja Besa Limani e pyeti Bajraktarin se a i kujtohej çfarë kishte ndodhur në ditën kritike.

Dëshmitari tha se pasi B. P. kishte dalë në një dhomë tjetër të shtëpisë, e kishte dëgjuar një britmë të tij.

“Unë me vëllanë tim Aliun pas britmës kemi vrapuar menjëherë e e kemi thyer derën dhe ia kemi hequr gotën e qelqit të cilën e mbante në dorë. E kemi marrë dhe e kemi futur në veturë dhe e kemi dërguar për në spital”, u përgjigj dëshmitari Avni Bajraktari.

“I dëmtuari… ka tentuar që të bëjë vetëvrasje në atë mënyrë që ka thyer një gotë dhe me të ka prerë dy venat e duarve, më pastaj i njëjti është dërguar në emergjencë”, thuhet në aktakuzë.

Dëshmitari Bajraktari më tutje tha se shtetasi i dëmtuar slloven edhe pas tentim-vetëvrasjes ka komunikuar me telefon me Halit Bajraktarin, kur i akuzuari është liruar nga paraburgimi.

Avni Bajraktari dëshmoi se është kujdesur për shtetasin slloven duke e dërguar në vizita mjekësore dhe e ka shoqëruar edhe me veturë sa herë që ka pasur të japë deklarata rreth kësaj çështjeje.

Dëshmitari Bajraktari tha se vëllai i tij i akuzuar ishte njoftuar me sllovenin, pasi për një kohë të gjatë kishte punuar në këtë shtet, ndërsa tregoi se më pas kur të dy kishin krijuar miqësi, shtetasi slloven kishte ardhur për vizitë në Kosovë.

Sipas aktakuzës, Halit Bajraktari në gusht të vitit 2009 në shtëpinë e tij në fshatin Baincë, Komuna e Lipjanit, e ka shtytë në vetëvrasje tani të dëmtuarin me kombësi sllovene pasi prej tij ka marrë një shumë prej 200 mijë eurove.

Në bazë të aktakuzës, Halit Bajraktari i kishte marrë këto të holla për të hapur tre lokale në të cilat do të ishte bashkëpronar me sllovenin, por kur shtetasi slloven ia ka kërkuar dokumentacionin për lokalet, e ka kuptuar se ato nuk janë hapur.

Pas kësaj, në aktakuzë thuhet se shtetasi slloven ka tentuar vetëvrasjen.

Halit Bajraktari përveç për shtytje në vetëvrasje, akuzohet edhe për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve, pasi kur iu bastis shtëpia ditën kur shtetasi slloven tentoi vetëvrasjen, policia gjeti dhe konfiskoi disa armë.

Halit Bajraktari është mbajtur në paraburgim prej 20 gushtit deri me 30 shtator 2009, e më vonë kjo masë i ishte zëvendësuar me arrest shtëpiak prej datës 30 shtator e deri me 30 tetor të vitit 2009.

Seanca e radhës do të mbahet me 24 maj ku pritet të japin dëshminë e tyre rreth këtij rasti Mihrije Bajraktari dhe Ali Bajraktari.