Kompania Ujësjellësi Regjional "Mitrovica" - Foto: KALLXO.com

Gjykatësi në seminar, nuk shpallet vendimi për arkëtarin e akuzuar për 1,511 euro

Sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ishte paraparë të bëhej shpallja e aktgjykimit në rastin e të pandehurit Mirsad Veseli

Por shpallja e këtij aktgjykimi ka dështuar të bëhet për shkak se gjykatësi i rastit Tomislav Petroviq gjendet në një seminar jashtë vendit.

Zyrtarë të gjykatës kanë njoftuar se ky udhëtim nuk ka qenë i planifikuar andaj edhe gjykimet e tjera që ka pasur janë anuluar.

Shpallja e vendimit ka mbetur të bëhet më 18 mars.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 11 mars, i pandehuri Mirsad Veseli e kishte pranuar fajësinë për veprën penale më të cilën ngarkohej nga prokuroria.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në periudhën gusht-shtator të vitit 2016, Mirsad Veseli në cilësinë e arkëtarit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit – KRU “Mitrovica” ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës zyrtare.

Akuza thotë se veprën penale e ka kryer duke mos e dorëzuar në arkën e kompanisë shumën e parave të inkasuara nga evidencat e konsumatorëve të cilët e kishin kryer pagesën.

Po ashtu i akuzuari Veseli nuk e ka shlyer nga evidenca borxhin e konsumatorëve të cilët kishin kryer pagesë, me ç’rast kishte përvetësuar shumën prej 1.511.30 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

https://kallxo.com/arketari-pervetesoi-mbi-1500-euro-te-ujesjellesit-pranon-fajesine-para-gjykates/