Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Shtyhet gjykimi për tentim vrasje në Mitrovicë, mungoi prokurori

Seanca e gjykimi ndaj Berat Rexhepit i akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për tentim vrasjen e Avdi Hamzës është anuluar.

Prokurori Njazi Rexha ishte shkak për anulimin e seancës së sotme, pasi i njëjti ka munguar për shkaqe shëndetësore.

Sipas aktakuzës, më 14 mars 2011 rreth orës 17:30 minuta në fshatin Qirez të Komunës së Skenderajt, i pandehuri Berat Rexhepi pasi ishte takuar me tani të dëmtuarin Avdi Hamza i është drejtuar më fjalët “pse po mi qet njerëzit me maska në rrugë” më pas e kishte nxjerrë thikën me gjatësi të tehut 10-15 cm nga mënga e dorës së djathtë dhe kishte sulmuar të dëmtuarin për ta goditur mirëpo kishin ndërhyrë bashkëfshatarët për t’i ndarë.

Sipas prokurorisë përkundër faktit që bashkëfshatarët kishin ndërhyrë i akuzuari kishte tentuar përsëri që të dëmtuarin ta sulmojë me thikë, mirëpo kishte shkuar agja i tiij H. dhe e kishte larguar atë nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa sipas deklaratave të dhëna në polici rezulton se arsyeja e konfliktit në mes të pandehurit Rexhepi dhe të dëmtuarit Hamza ishte fakti se i pandehuri kishte propozuar vajzës së të dëmtaurit të bëhej e dashura e tij, mirëpo kjo lidhje ishte kundërshtuar për shkak të afërisë së gjakut.