Apeli: Gjykata e shkallës së parë nuk arsyetoi konfirmimin e aktakuzës ndaj zyrtarëve të KPM-së

Gjykata e shkallës së dytë e ka rrëzuar vendimin me të cilin ishte konfirmuar aktakuza për marrje ryshfeti nga të dyshuarit Luan Latifi, ish-kryeshef i Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Arben Bilalli, drejtor financiar në këtë institucion.

Apeli në muajin nëntor kishte pranuar si të bazuar ankesën e avokatit të Luan Latifi, duke prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion.

Trupi gjykues i udhëhequr nga Bashkim Hyseni e i përbërë nga Tomislav Petroviq dhe Xhevdet Abazi, kanë gjetur shkelje ligjore në vendimin për konfirmimin e aktakuzës.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të arsyetojë se me cilat prova është vërtetuar dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale marrje ryshfeti.

Apeli në vendimin prej 3 faqesh, udhëzoi gjykatën e shkallës së parë që me rastin e rishqyrtimit të aktakuzës të arsyetojë secilën provë me të cilën vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.