Gjykata Supreme Shpëton nga Likuidimi Pallatin e Rinisë

Me vendimin C-I.-16-0003 të Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme më 20 qershor është anuluar vendimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për inicimin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore Qendra e Rinisë.

Lajmin e bëri të ditur me anë të një komunikate Dhoma e Posaçme, e cila njoftoi se për këtë çështje është mbajtur një dëgjim publik më 15 qershor.

Ndërmarrjen Shoqërore Qendra e Rinisë e cila tash njihet si Pallati i Rinisë e kishin paditur disa persona për të cilët në vitin 2012 ishte marrë aktgjykim i formës së prerë që të kompensohen nga dëmet e shkaktuara prej një zjarri.

Sipas komunikatës, ndërmarrja shoqërore e paditur nuk i ka përdorur asetet në dispozicion për të paguar, por ka kërkuar të negociojë një zbritje, të cilën paditësit nuk e kanë pranuar.

Në vitin 2016, AKP ka iniciuar likuidimin.

“ Gjykata ka konkluduar se inicimi i likuidimit përbën një keqpërdorim të së drejtës procedurale, në dëm të paditësit”, thuhet në vendimin e Supremes.

Aktgjykimi është marrë nga kolegji i instancës së parë, i  përberë nga tre gjyqtarë.

Aktgjykimi hyn ne fuqi menjëherë, por, kundër tij mund të paraqitet ankesë.