Foto: Arkiv

Gjuriq Nesër e Pasnesër Vizitë Me Leje në Kosovë

Marko Gjuriq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nesër e pasnesër do ta vizitojë Kosovën.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Punëve të jashtme Behgjet Pacolli e konfirmoi për KALLXO.com dhënien e lejes për Gjuriqin.

Zyberaj tha se Gjuriq vjen në Kosovë për pashkët ortodokse.

“Po, kërkesa i është aprovuar në frymën e paqes dhe mirëkuptimit me rastin e festës së pashkëve ortodokse.  Pa marrë parasysh që është zyrtar, ai sikurse secili pelegrin tjetër e gëzon të drejtën që të lutet në cilëndo kishë që ai dëshiron”, tha Zyberaj.

Ai tha se Gjuriq do t’i respektojë rregullat gjatë vizitës së tij.

“Rregullat do t’i respektojë ngase është përballur dhe është njohur me realitetin e ri në Kosovë dhe nëpërmjet tij, me këtë realitet është njohur secili zyrtar i shtetit serb”, tha Zyberaj.

Më 26 mars Marko Gjuriq u arrestua në Mitrovicën Veriore për hyrje ilegale në Kosovë.

Ai pastaj u soll në Prishtinë dhe më pas u dëbua nëpërmjet Pikës Kufitare Merdar.

Arrestimi i Gjuriqit shkaktoi tensione mes Kosovës e Serbisë.

http://kallxo.com/foto-gjuriq-deportohet-jashte-territorit-te-kosoves/