Deponia e egër e bërllokut në rr. "Shkupi" - Foto: KALLXO.com

Gjoba për Mbeturinat

Vullnetarë të organizatës “Let’s do it Kosova” dhe Komuna e Prishtinës kanë hequr një deponi të egër mbeturinash, kundërmimi i të cilës ishte bërë shqetësim për banorët që frekuentojnë rrugën “Shkupi” të kryeqytetit.

Deponia është hequr pas një “fushate” në “Facebook” të një qytetari të Prishtinës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Milot Hasimja bën fajtorë qytetarët për këtë dhe deponi të tjera të mbeturinave.

“Të gjithë këta banorë këtu që po i shohim janë ata që i hedhin këto mbeturina… Edhe sot ishim dëshmitarë kur u ndalën me vetura dhe i hodhën mbeturinat. Plus kësaj del Komuna dhe thotë se na e kemi marrë iniciativën me e pastru, ju duhet me e marrë ma herët mos me na pritë as mu as ty”, tha ai.

Sipas tij, një nga mënyrat që të ndalohet krijimi i deponive të egra të mbeturinave është gjobitja e qytetarëve.

“Rritje e numrit të inspektorëve, dënim. Një gjuajtje e një qese me mbeturina 500 euro dënim. Kur e prek në xhep shqiptarin u kry kjo pune”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Shërbimeve Publike i Komunës së Prishtinës, Gent Begolli, tha për KALLXO.com se deri më 1 tetor pritet që të pastrohen të gjitha deponitë e egra të mbeturinave.

“Tash do të vazhdojmë nga java tjetër me largimin e të gjitha deponive në komunën e Prishtinës. Besoj që janë rreth 100 deponi në komunën e Prishtinës. Shpresojmë që brenda dy muajve t’i largojmë të gjitha”, tha drejtori Begolli.

Po ashtu, Begolli tha se Inspektorati do të fillojë inspektimin dhe do të gjobitë qytetarët dhe kompanitë të cilat hedhin mbeturina vend e pavend.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të mos hedhin mbeturina sepse Inspektorati i Komunës së Prishtinës do të fillojë me gjoba ndaj atyre qytetarëve të papërgjegjshëm që hedhin mbeturinat në zonat e gjelbra dhe në zonat ku nuk është e lejuar të hidhen mbeturina”, tha ai.

Organizata joqeveritare “Let’s do it Kosova” edhe më parë ka marrë iniciativë për pastrimin e qyteteve të ndryshme nga mbeturinat.

http://kallxo.com/qytetaret-pastrojne-edhe-sivjet-kosoven/