Foto: Komuna e Gjilanit/ 29.05.2019

Gjilani fillon përgatitjet për 20-vjetorin e çlirimit

Komuna e Gjilanit është duke i bërë të gjitha përgatitjet për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Gjilanit, të cilat nisin nga 11 deri më 15 qershor.

Këtë e ka bërë të ditur dje drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan, Shpresa Hajdari, në konferencën për media, ku ka paraqitur punën e saj nga janari e deri më tani, sikurse edhe planifikimin për tre muajt e ardhshëm.

“Në këtë fazë është duke u punuar në përgatitjet për shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Gjilanit, ku organizimi do të filloj nga data 11 – 15 qershor dhe përpos aktiviteteve kulturore, do të bëhet edhe shpallja e më të dalluarve të vitit, shpalljen e fituesit të çmimit “Beqir Musliu”, shfaqje teatrale dhe aktivitete të tjera”, tha ajo.

Hajdari ka potencuar punën e madhe që bëhet në bibliotekën e qytetit që ka rritje të numrit të lexuesve, pastaj menaxhimin dhe punën e cila po bëhet në teatrin e qytetit.

“Për pesë muaj në bibliotekën e Gjilanit janë regjistruar rreth tre mijë lexues dhe janë lexuar afro 11 mijë libra, e që janë trende jashtëzakonisht pozitive kur kemi parasysh edhe shfrytëzimin e bibliotekës nga ana e studentëve dhe nxënësve që zgjedhin këtë institucion për përgatitjen e tyre dhe mësimin. Edhe në Teatrin e Qytetit pas aktiviteteve të Flakës së Janarit, kemi dy shfaqje që janë pritur jashtëzakonisht mirë. Është shfaqja “Vrapo pas gruas tënde” dhe shfaqja tjetër “Erdhi Gogoja”, që Gjilanit i kanë dhënë fuqinë skenike dhe rritjen e interesit të publikut”, ka thënë Hajdari.

Drejresha e DKRS theksoi se një rëndësi i ka dhënë edhe thirrjes publike për organizata joqeveritare, ku kanë aplikuar 51 organizata dhe presim publikimin e listës fituese të subvencioneve.

Në fushën e sportit dhe të rinisë, drejtoresha Hajdari ka potencuar kampionin e sivjetmë, klubin e volejbollit “Drita” në kategorinë e femrave të, sikur që ka përmendur edhe kampionin e bowlingut që është nga Gjilani dhe aktivitete të tjera shumta që realizohen në fushat ndihmëse, terrenet sportive etj.