Gjilani i stolisur | Foto: KALLXO.com

Gjilani- 9000 Euro për Dekorim, Fishekzjarrë e Koncerte

9 mijë eurot e Komunës së Gjilanit për festtat e fundvitit do të harxhohen për dekorimin e qytetit, organizimin e tri koncerteve dhe festën me fishekzjarrë në natën e ndërrimit të moteve.

Naser Korça, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit tha për KALLXO.com se për dekorimin e qytetit janë harxhuar rreth 2800 euro.

“Kompania NNP ‘Toni’ është kontraktuar për dekorimin e qytetit në kuadër të kontratës publike kornizë për mirëmbajtjen e ndriçimit publik. Dhe në bazë të llogaritjeve tona, shuma totale e këtij projekti është afro 2800 euro,” tha Korҫa.

Përgatitje për festat e fundvitit në Komunën e Gjilanit janë bërë edhe nga Njesia për Kulturë, Rini dhe Sport që ka paraparë mbajtjen e tri koncerteve të ndryshme.

Bashkim Nexhipi, drejtor i Njesisë për Kulturë, Rini dhe Sport për KALLXO.com tha se në këto koncerte do të paraqiten solistë e grupe të mirënjohura të estradës sonë.

“Janë të parapara të mbahen tri koncerte, edhe atë për ditën e kërshëndellave brenda sallës së teatrit, për të vazhduar me koncertin për fëmijë në mesditë më 31 dhjetor, për të kulmuar me koncertin e madh me rastin e ndërrimit të motmoteve,” tregoi Nexhipi.

Sipas drejtorit Bashkim Nexhipi, të gjitha këto organizime nuk do të kalojnë shumën e rreth 3 mijë eurove.

Në Komunën e Gjilanit në natën e ndërrimit të viteve do të ketë edhe festë me fishekzjarrë.

Për fishekzjarrët që do të shpërthejnë në Gjilan, komuna është furnizuar nga kompania N.T.SH. “Auto Dinamika” me të cilën ka nënshkruar kontratë prej 2800 eurosh.

Atmosferën festive në Komunën e Gjilanit KALLXO.com e ka xhiruar edhe me kamerat 360 shkallë.

Pardje KALLXO.com shkroi edhe për stolisjen e Shtimes, e cila sipas zyrtarëve të atjeshëm do të dekorohet me materialet e përdorura vitin e kaluar dhe në bashkëpunim me bizneset.

http://kallxo.com/shtimja-stoliset-dekorimet-e-vjetme/

Ndërsa zyrtarë të Rahovecit i thanë dje KALLXO.com se për dekorimin e qytetit kanë harxhuar 6 mijë euro, ndërsa përveç zgjedhjes së sportistit të vitit, nuk planifikojnë ndonjë aktivitet tjetër.

Në Malishevë, KALLXO.com mori vesh se nuk do të ketë aktivitete për vit të ri, e as stolisje të qytezës nga komuna.

http://kallxo.com/malisheva-pa-dekorime-rahoveci-pak-shkelqim/

Kamerat 360 shkallë KALLXO.com i përdori për të sjellë pamje edhe nga qytetet tjera kosovare.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri