Pamje nga takimi i gazetarëve shqiptarë e serbë në Gjilan - Foto: KALLXO.com

Gazetarët Shqiptarë e Serbë Diskutojnë për Bashkëpunimin

Gazetarë dhe përfaqësues të mediave nga pjesë të ndryshme të Kosovës janë mbledhur në Gjilan për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin e gazetarëve shqiptarë dhe serbë.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtueses (BIRN), në bashkëpunim me Zyrën e Përfaqësueses Speciale të Bashkimit Europian në Kosovë, organizoi diskutimin për gazetarë në të cilën u theksuan problemet dhe mundësitë e zgjidhjeve konkrete për forcimin e raporteve në mes të gazetarëve të dy etnive brenda Kosovës.

Kryetari i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan, Musa Sabedini, tha se natyra e punës na dallon por mundësi bashkëpunimi mes gazetarëve të komuniteteve të ndryshme ka pasur dhe ka. “Klubi ‘Beqir Musliu’ gjithmonë i ka pasur dyert e hapura për kolegët e komuniteteve të tjera”, tha Sabedini.

Teksa përmendi bashkëpunimin mes gazetarëve shqiptarë e serbë në rastin e trenit serb që synonte të hynte në Kosovë, Sabedini tha se ky bashkëpunim në të ardhmen duhet të rritet.

Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Shkëlqim Hysenaj, u shpreh se tani për tani ajo çfarë do të forconte bashkëpunimin mes gazetarëve serbë e shqiptarë është një medium i përbashkët.

“Normalisht, në këto rrethana aktuale gjëja me  e mirë do të ishte që në Kosovë të ekzistojë një medium i bërë për të gjithë komunitetet”, tha Hysenaj.

Ai shtoi se një projekt i tillë është i vështirë të realizohet por do të ishte mundësia më e mirë për t’i bërë së bashku të gjithë gazetarët e komuniteteve të ndryshme.

Kurse, Jovan Simiq nga “TV Plus” nga Shillova e Gjilanit tha se bashkëpunimi mes gazetarëve serbë dhe shqiptarë në Gjilan është i kënaqshëm dhe korrekt.

“Bashkëpunimi mes gazetarëve në Gjilan është i kënaqshëm. Është korrekt. Në kohët e fundit kemi disa ngecje por jo në aspektin e ndonjë politike por rrethanat na kanë obliguar. Por, mendoj që para neve ka sfida të shumta dhe mund të punojmë që të përparojmë së bashku”, tha Simiq.

Një tryezë e ngjashme në kuadër të këtij projekti, i cili synon rritjen e bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve shqiptarë dhe serbë në Kosovë, javën e kaluar u mbajt në Mitrovicë. Aktivitete tjera do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.

http://kallxo.com/gazetaret-shqiptare-e-serbe-perpiqen-ti-kalojne-barrierat-etnike-e-politike/