Gazetarët që u shpërblyen sot.

Gazeta ‘Jeta në Kosovë’ Fiton Çmimin Gazetaresk të Mbështetur nga BE

Hulumtimi i realizuar në tetor të vitit të kaluar në gazetën “Jeta në Kosovë” është shpërblyer sot në garën e mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Hulumtimi i realizuar nga Parim Olluri, “Miku i Lushtakut Përfiton nga Vala” ka marrë çmimin e dytë në garën për këtë çmim të themeluar nga bashkimi Evropian, i cili në Kosovë jepet në bashkëpunim me Këshillin për Mediat e Shkruara.

Hulumtimi fitues flet për kompaninë Vala dhe për objektin e saj i cili figuron në emër të Taip Sadikajt, personit që para 10 vjetësh bashkë me Sami Lushtakun penguan gjykatësin Sami Gërdovci që këtë objekt t’ua kthejë pronarëve.

“Shkrimi ka pasur të bëjë me njerëz të fuqishëm si Sami Lushtaku dhe miqtë e tij  nga pushteti aktual dhe lidhjet e punës së Kadri Veselit, Sami Lushtakut dhe administratës”, tha Olluri duke marrë këtë çmim.

Miku i Lushtakut Përfiton nga Vala

Ҫmimi i BE-së për gazetarinë hulumtuese ka për qëllim promovimin e të arriturave të larta të gazetarëve hulumtues, si dhe përmirësimin e cilësisë së gazetarisë hulumtuese në vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hergevoinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi) dhe Turqi.

Ky çmim është themeluar nga Komisioni Europian, Drejtoria Gjenerale për Zgjerim, duke ndjekur strategjinë për Zgjerim të BE-së, e cila parasheh nevojë të fuqishme për të siguruar lirinë e shprehjes në media, për mbështetje të gazetarisë hulumtuese në monitorimin e proceseve reformuese, si dhe për të ruajtur momentin historik drejt anëtarësimit në BE.

Gazetarët e “Koha Ditore”, Besnik Krasniqi e Ganimet Klaiqi kanë fituar çmimin e parë në këtë garë me hulumtimin “Universiteti Ilegal Diplomatik”

Çmimi e tretë e fitoi shkrimi “Sot punon, sot han” nga Leonida Mulliqaj dhe Fesnik Buletini i cili është botuar në ‘Preportr”.

Nehat Islami, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës tha se e konsideroi gazetarinë hulumtuese si kulmin e gazetarisë.

“Gazetarët hulumtues janë ata të cilët nuk bëjnë përpjekje të mëdha që të nxjerrin në shesh të vërtetat, e ne kemi nevojë që të nxjerrim shumë të vërteta të cilat po fshihen nga gazetarët”, tha ai.

Ai gjithashtu kërkoi që të kushtohet një kujdes i veçantë edhe ndaj gazetarëve të cilët ju ekspozohen presioneve të ndryshme.

Samuel Zbogar, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë tha se pa lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave nuk ka është e mundur as liria e qytetarëve.

“BE-ja i kushton rendësi të madhe lirisë së shprehjes në media dhe më këtë çmim BE-ja dëshiron që të promovoje lirinë e shprehjes së lirë, të rrisim kualitetin dhe të ofrojë kushte dhe standarde më të mira për gazetarët në regjion”, tha ai.

Ai theksoi edhe cështjen e mungesës së kontratave të punës si një nga problemet me të cilët gazetarët po përballen.

Për mungesë të kontratave të punës është diskutuar edhe në raportin “Treguesit e Mediave” për vitin 2015 ku theksohet se 45% e të anketuarve nuk kanë kontrata punë.

Juria vlerësuese për çmimet të cilat ndahen nga Bashkimi Evropian ishte e përbërë nga katër anëtarë, Ymer Mushkolaj, Ana Mari Repic, Besa Luci dhe Artan Mustafa.

http://kallxo.com/liria-e-medias-e-rrezikuar-nga-cdo-ane/