Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia jep sqarime rreth intervistimit të drejtorit të “Insajderit”

Policia e Kosovës, ka dërguar një komunikatë sqaruese pas reagimeve për intervistimin e drejtorit të portalit “Insajderi.org”, Parim Olluri.

“Policia pas pranimit të informatave se ishin publikuar informacione konfidenciale në median e shkruar, sipas autorizimeve ka ndërmarrë veprime ligjore drejt njoftimit të Prokurorisë kompetente. Pas këtij veprimi sipas urdhrit të Prokurorisë, veprimet e tjera janë ndërmarrë në përputhje të plotë me Legjislacionin në fuqi dhe të drejtat e garancitë që burojnë prej tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit, zyrtarët policor nuk kanë marrë në pyetje dhe nuk kanë vendosur nën hetim asnjë qytetar që ushtron profesionin e gazetarit, por sipas urdhrit të Prokurorit në pyetje janë marrë vetëm personat apo zyrtarët që e kanë poseduar informacionin konfidencial.

“Ndërsa përfaqësuesit e mediumit që e kanë publikuar informacionin, janë ftuar vetëm për informim sipas udhëzimeve të prokurorit. Vlen të potencohet se Policia e Kosovës të gjitha veprimet i ka ndërmarr konform autorizimeve ligjore, dhe i ka shumë të qarta autorizimet që ia jep ligji me të cilin funksionon por edhe të drejtat e garancitë që burojnë nga ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, është e rëndësishme që të mbrohet interesi publik, i dëmtuar këtë rast me rrjedhjen e informacionit konfidencial, andaj veprimet e policisë për njoftimin e Prokurorisë kanë të bëjnë me përgjegjësit për rrjedhjen e informatave konfidenciale e jo me publikimin e tyre.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas intervistimit të drejtorit të portalit “Insajderi.org”. Reagime kishte edhe nga politikanë, avokatë e shoqëria civile.