Miku i Lushtakut Përfiton nga Vala
Agron Mustafa, kryeshef i Vala-s, bashkë me Blerand Stavilecin, ministrin për Zhvillim Ekonomik, i prenë shiritin hapjes së pikës së kësaj ndërmarrjeje në qendër të Prishtinës.
Në mesin e njerëzve që po kremtonin zbarkimin e “Valës” në qendër të qytetit, ishte edhe Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës,
Mustafa e promovoi në Facebook hapjen e kësaj pike si dëshmi që “Vala” ka ndryshuar.
“Kemi zbukuruar ish ‘korzon’ e mëhershme të qytetit, kemi hijeshuar sheshin e tanishëm ‘Nënë Tereza” shkruajti Mustafa.
Vazhdoi duke kritikuar shpenzimet e mëhershme të kësaj ndërmarrjeje publike.
“Mijera euro për qiraja, shumica e tyre në periferi, ose anash. Asnjëherë në qendër. Tash ka ndryshuar.
Vala është pozicionu në qendër të qendrës, në pikën kryesore në sheshin e kryeqytetit të Republikës, me një qendër moderne dhe të gjitha parametrat bashkëkohore” shënoi Mustafa.
Por Mustafa që lansoi kritika për mijëra euro të paguara për qiratë e pikave nëpër periferi, ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë të dërguara më 23 shtator, dy ditë pas hapjes së kësaj pike.
Është pyetur se sa është shuma e qirasë që “Vala” paguan për shfrytëzimin e këtij objekti, me kënd është lidhur kontrata dhe pse nuk ka pasur tender publik për marrje në shfrytëzim të objekteve për nevoja të ndërmarrjës publike.
Por Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se objekti që tash shfrytëzohet nga “Vala”, figuron në pronësi të Taip Sadikajt.
Ai është një emër i panjohur për publikun, por i përfshirë në një ngjarje shumë të njohur.
Është i përfshirë bashkë me Sami Lushtakun, një prej njerëzve më të fuqishëm të Partisë Demokratike të Kosovës, në pushtet.
Pjesë e strukturave të kësaj partie ka qenë edhe Agron Mustafa, kryeshef i “Valës”. Ai është zgjedhur në poziten e Kryeshefit me votat e Bordit të PTK-së të udhëhequr nga Rexhë Gjonbalaj që ka qenë pjesë e PDK-së në të kaluarën.
Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar se Mustafa, përveç që ka qenë në struktura të partisë, është parë në afërsi të Kadri Veselit, zëvendëskryetarit të PDK-së.
Historia e objektit: Sami Lushtaku & Taip Sadikaj
Kanë kaluar dhjetë vjet kur Sami Lushtaku, kryetari i Skënderajt, kishte penguar një gjyqtar në kryerjen e detyrës zyrtare.
Taip Sadikaj ishte aty atë ditë. Shoqëronte Lushtakun.
Kur ora shënonte 11:00, në dimrin e para dhjetë vjetësh, më 14 nëntor 2005, gjyqtari ekzekutes Sami Gërdovci, dy nënpunës të Gjykatës Komunale të Prishtinës dhe tre oficerë policie kishin zbarkuar te sheshi në Prishtinë.
Kishin për detyrë që të ekzekutonin vendimin e Gjykatës Komunale të Prishtinës që i njihte Bratislav Milenkoviqin e Jovica Simiqin për pronarë të objektit.
Nuk kishin mundur ta bënin këtë.
Pak kohë pas mbërritjes së tyre, ishin paraqitur Sami Lushtaku dhe Taip Sadikaj, tregohet në aktgjykimin e datës 26 tetor 2007 që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.
Oficerët policorë kishin përshendetur Lushtakun dhe i kishin thënë se vetëm po e asistonin gjykatën.
Lushtaku ishte nisur në drejtim të gjyqtarit Gërdovci. E kishte kapur për kravate dhe ia kishte shqyer.
“Unë do të tërheq (zvarrit) dhe do të likuidoj ty,” i kishte thënë Lushtaku gjykatësit Gërdovci. Bazuar në aktgjykim tre policët nuk kishin vepruar gjersa e gjithë kjo kishte ndodhur
Përveç Lushtakut kishte kërcënuar edhe Taip Sadikaj.
“Pas kësaj, Taip Sadikaj iu drejtua zot. Milenkoviq dhe i tha këtij të fundit se Sami Lushtaku ka mundur të vrasë partnerin e tij Simiq dhe policia nuk do të bënte asgjë,” thuhet në aktgjykim.
Gjyqtari Gërdovci ishte konsultuar me kryetarin e gjykatës komunale dhe kishte marrë instruksione që të mos e ekzekutonte vendimin në këto rrethana.
Sami Lushtaku kishte mohuar para gjyqit se e kishte kapur gjyqtarin për kravate si dhe se kishte përdorur fjalë kërcënuese.
Kishte pranuar se kishte hyrë në ndërtesë dhe se kishte kërkuar nga Gërdovci që të bisedonin për këtë çështje në zyrën e gjyqtarit.
Lushtaku kishte thënë se është interesuar për objektin, pasi që një kushëri i tij kishte shprehur interesim për ta blerë atë.
Edhe Taip Sadikaj kishte mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Qarkut e Prishtinës më 25 maj 2006.
Sadikaj kishte deklaruar para gjyqit se “ndoshta kishte thënë fjalë të këqija”, por se nuk kishte qëllime të këqija.
“Zot. Sadikaj tha se ai udhëton shpesh në Serbi dhe ai nuk do të guxonte të kërcënonte serbët në Kosovë pasi që ai mund të ballafaqohej me rreziqet në Serbi nëse do të vepronte në atë mënyrë,” thuhet në aktgjykim.
Por gjykata konkludoin se eksiztojnë dëshmi bindëse se Lushtaku e Sadikaj përdorën kërcënime serioze për të detyruar përsonat zyrtarë që të mos ekzekutojnë vendimin gjyqësor.
Lushtaku është dënuar me burgim prej katër muajsh, ndërsa Sadikajt i është shqiptuar vërejtje gjyqësore.
Ndërmarrja publike Vala e Telekomi, nuk ka dhënë komente lidhur me të kaluarën e Taip Sadikajt nga i cili morën objektin në shfrytëzim.
Gazeta Jeta në Kosovë i ka dërguar pyetje edhe Sadikajt, nëpërmjet avokatit të tij, Edvard Gashi.
Ka kërkuar përgjigje nga ai lidhur me regjistrimin e kësaj prone në emër të tij dhe kërcënimin që ka bërë në vitin 2005. Nuk ka marrë përgjigje ndonëse avokati Gashi ka premtuar se do të konsultohet me klientin e tij dhe do të lajmërojë redaksinë.
Pas dërgimit të pyetjeve, avokati Gashi nuk e ka hapur më telefonin.
Paralufta: Objekti ishte shoqëror
Historia e problemeve është edhe më e vjetër se ndodhitë e vitit 2005. Para vitit 1999 ky objekt shfrytëzohej nga ish-ndërmarrja shoqërore e konfeksionit “Beko”.
Pronat e ish-ndërmarrjeve shoqërore menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Por AKP-ja si titullare e këtyre pronave nuk është kontaktuar nga “Vala” lidhur me shfrytëzimin e këtij objekti.
“Ndërmarrja publike ‘Vala’, nuk ka komunikuar zyrtarisht me AKP-në në lidhje me këtë objekt,” tha Veton Hajdini, kryesues i Njësisë për Marrëdhënie me Publikun në AKP.
Hajdini shtoi se ky objekt asnjëherë nuk është nxjerrë në proces të privatizimit.
Përveç kësaj, AKP-ja nuk ka informacione se si ka ndryshuar pronësia në këtë pronë.
Për këtë ka kërkuar informacione nga Komuna e Prishtinës.
“AKP-ja ka pranuar dokumentacionin nga Drejtorati për Kadastër dhe Pronë i Komunës së Prishtinës me datën 26 gusht 2015 ku është evidentuar ndryshimi i pronësisë nga prona shoqërore në private,” tha Hajdini.
Ai shtoi se Agjencia e Privatizimit është duke e analizuar dokumentacion ligjor të pranuar nga Drejtoria komunale e Kadastrës.
“Për momentin AKP-ja është duke analizuar dokumentacionin ligjor dhe në varshmëri të dokumenteve do të marrë veprimet e mundshme ligjore,” shtoi Hajdini.
AKP-ja nuk është përgjigjur në pyetjen se në emër të kujt figuron tash ky objekt, bazuar në përgjigjet e marra nga Komuna e Prishtinës.
Nuk ka dhënë sqarim se pse nuk zbulon emrat e njerëzve që figurojnë si pronarë të objektit.
Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe autoritetet komunale në Prishtinë.
Komuna e Prishtinës ka konfirmuar se AKP-ja më 18 qershor të këtij viti i ka kërkuar historiatin e parcelës kadastrale në qendër të Prishtinës.
Kjo parcelë, sipas autoriteteve komunale, bazuar në të dhënat e para vitit 1999, ka qenë në bashkëpronësi të konfeksionit “Beko” dhe Komunës së Prishtinës.
Emri i Taip Sadikajt, bazuar në përgjigjet e Komunës së Prishtinës, është shfaqur më 14 nëntor 2007 kur një pjesë e parcelës është regjistruar në emër të tij.
Një pjesë tjetër e parcleës, më 23 shkurt 2011, është regjistruar në emër të Ganimete Sadikajt.
Ndërsa më datën 22 qershor 2015 parcela kadastrale me numër 7122-4 ka kaluar në pronësi të grupit slloven “Savinja Skupina”, dega në Kosovë.
“Aktvendimi është lëshuar bazuar në kontratën e përbashkët për transferimin e paluajtshmërive nga prona personale-private e aksionarit në pronësinë e shoqërisë ‘Grupi Savinja Skupina D.OO’, në emër të rritjes së kapitalit aksionar në shoqëri,” thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.
Ky biznes figuron në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në emër të Ganimete Sadikajt.
Gazeta Jeta në Kosovë ka pyetur autoritetet komunale se kujt i është dhënë leje për të renovuar objektin që shfrytëzohet nga “Vala”.
“Leja për renovim të ndërtësës në fjalë i është dhënë Ganimete Sadikajt e Taip Sadikajt,” thuhet në përgjigjet e Komunës së Prishtinës.