Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti i tij qeveritar. Foto: Atdhe Mulla

Gashi: Ligji për Qeverinë do i dërgohet Kuvendit brenda këtij viti për miratim

Që nga viti 2009, kanë ekzistuar draft-ligjet për qeverinë, por asnjëherë nuk janë votuar në Kuvend duke iu hapur rrugë partive për shtimin e ministrive dhe zv/ministrave sipas interesave të tyre partiake dhe të koalicioneve.

Strukturimi i Qeverisë dhe numrit të ministrive dhe të zv/ministrave, ka qenë e caktuar dhe e paraparë në Rregulloren e UNMIK-ut 2001/19.

Por, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës më 15 qershor 2008, shteti i Kosovës e shfuqizoi atë Rregullore. Sipas kësaj Rregullore krijimi i ministrive duhet të bëhet sipas nevojës për kryerjen e funksioneve brenda kompetencave të Qeverisë, ndërsa numri i ministrive ishte 9 sosh.

Mirëpo secila qeveri që fitoi mandatin deri në vitin 2008, e ndryshonte këtë Rregullore sipas interesave të veta.

Pas qershorit 2008, qeveria e nxori një Rregullore të re, e cila ishte e bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut, por nuk e përcaktonte numrin e ministrive dhe strukturën e qeverisë.

Me këtë Rregullore të re vazhdoi rritja e pandalshme e ministrive, ku edhe pse në Rregulloren e UNMIK-ut themelimi i ministrive parashikohej që të miratohej në Kuvend, pas vitit 2008 ministritë u themeluan me vendim ekzekutiv dhe në vitin 2010 shteti i Kosovës kishte 18 ministri.

Ndërsa numri më i madh është arritur në vitin 2017 me 21 ministri dhe mbi 70 zv/ministra, duke e bërë strukturën qeveritare më të madhen që ka pasur ndonjëherë Kosova dhe më të madhen në Ballkan.

Burim Ejupi drejtor i Institutit për Politika Zhvillimore thotë se nuk ka konsensus politik për zbatimin e ligjeve dhe ky është problemi që në Kosovë mjaft ligje të rëndësishme nuk janë miratuar.

‘’Ligji për qeverinë duhet të caktojë rolin e secilit. Ky ligj duhet të ketë konsensus politik. Në Kosovë janë 26 parti politike në qeveri dhe problemi është këtu sepse secila parti dëshiron ta fusë agjendën e saj në qeveri. Ligjet i kemi por kurrë nuk po zbatohen, sepse një ligj i prek katër ministri dhe unë mendoj që ligjet duhet të ndahen sipas sektorëve dhe shumica e ligjeve ngecin për shkak të jo-koordinimit të ministrive’’, ka thënë Ejupi.

Arben Kelmendi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), shprehet skeptik sa i përket votimit në Kuvend të këtij ligji këtë vit.

Ai thotë se nuk ekziston një pajtueshmëri në mes partive politike se si do të procedohet në Kuvend të Kosovës.

‘’KDI është skeptike dhe pret të ketë vonesa gjatë procedimit në Kuvendin e Kosovës, pasi nuk ekziston një pajtueshmëri mes subjekteve politike se si do të procedohet Projektligji për Qeverinë. Ne vazhdimisht kemi rekomanduar miratimin e Ligjit të Qeverisë që do të barte përgjegjësinë te Kuvendi për të vendosur për strukturën e Qeverisë, funksionet e saj, detyrat e një qeverie në dorëheqje dhe përgjegjshmëri më e madhe e anëtarëve të kabinetit qeveritar ndaj kërkesave të deputetëve për të dhënë llogari në Kuvend’’, ka thënë Kelmendi.

Ndërsa zëdhënësja e qeverisë Donjeta Gashi shkurtimisht ka thënë se Ligji për qeverinë pritet të miratohet në fund të këtij viti.

‘’Ligji për Qeverinë është duke u shqyrtuar ende nga qeveria dhe besoj që deri në fund të vitit do të procedohet në Kuvendin e Kosovës për miratim’’, ka thënë Gashi.

Sipas programit legjislativ të ekzekutivit për vitin 2018, është paraparë që Ligji për Qeverinë të hartohet deri më 20 nëntor të këtij viti.