Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi miraton tri projektligje - Për Mbështetjen e Punëve Publike, për Qeverinë dhe për Noterinë

Projektligji për mbështetjen e punëve publike, projektligji për Qeverinë, dhe projektligji për noterinë, kanë marrë mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës sot.

Pas disa përpjekjeve, Kuvendi ka arritur ta miratojë në lexim të dytë projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Deputetët e opozitës në vazhdimësi kanë kërkuar që ky Projektligj të shkojë në lexim të tretë, pasi konsiderojnë që ka nene që janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Kjo për shkak të nenit që u jep të drejtë zëvendësministrave të votojnë.

Ndërsa, projektligjit për mbështetjen e punëve publike, është votuar në parim me 63 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim.

Javën e kaluar, gjatë shqyrtimit, ministri Hekuran Murati ka thënë se parasheh kompensimin për materiale ndërtimore, të atyre që janë ndikuar nga inflacioni.

“Duke marrë parasysh situatën dinamike sa i përket lëvizjes së çmimeve në sektorin ndërtimor kemi ardhur në situatë ku shumë prej kontratave afatgjate për punë publike kanë pasur ngecje për shkak të çmimeve të kontraktuara që nuk janë përshtatur më çmimet aktuale në treg. Projektligji për punë publike parasheh kompensimin për inflacion për ato materiale ndërtimore që janë ndikuar nga inflacioni, përkatësisht bitomeni, çimento, hekuri, plastika dhe produktet e plastikes, betoni dhe produktet e betonit, zhavorri, alumini e të tjera” – ka shpjeguar Murati.

Në parim është miratuar sot edhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë.

Edhe ky projektligj është miratuar me 63 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim.

Të tre projektligjet janë miratuar më votën e deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK nuk kanë votuar për këto projektligje.