Dështon miratimi në lexim të dytë i Projektligjit për Qeverinë

Për mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë në lexim të dytë Projektligjin për Qeverinë.

Vetëm 59 deputetë votuan për Projektligjin.

Deputetët e opozitës kërkuan që ky Projektligj të shkojë në lexim të tretë, pasi ka nene që janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Besnik Tahiri, deputet i AAK-së, tha se ky Projektligj ka një problem serioz dhe nuk duhet të votohet.

“Ky Projektligji u jep të drejtë zëvendësministrave të votojnë. Nëse kalon ky ligj ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Të njëjtin mendim e ndanë edhe deputetët e partive tjera opozitare.

Ndërkaq, ata të pozitës kërkuan që Projektligji të miratohet dhe do ta mbështesnin një interpretim në Gjykatën Kushtetuese.