Furnizimi me Energji Elektrike Ende Sfidë për Shtetin

Në Forumin e Nivelit të Lartë “Siguria e furnizimit me energji elektrike në Kosovë” të organizuar nga USAID dhe Repower Kosovo u tha se furnizimi i rregullt me energji elektrike ende mbetet sfidë për Kosovën.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se sektori i energjisë edhe për këtë vit mbetet ndër sektorët më sfidues.

“Ne nuk mund të lejojmë edhe më tej humbjet në sektorin privat për shkak të mos furnizimit stabil me energji, të cilat janë mbi 300 milionë euro në vit, shifër kjo e dalë nga gjetjet e fundit të USAID”, tha Stavileci.

Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se sigurimi i furnizimit të rregullt me energji elektrike është një nga prioritetet e Qeverisë.

“Ne mbesim të përkushtuar, po ashtu, që të riaftësojmë agregat të caktuar edhe në faza të caktuara të “Kosovës B”, në mënyrë që ato të mos ta rrezikojnë kontinuitetin e furnizimit me energji elektrike. Jemi të interesuar po ashtu që të shohim edhe opsionet me “Kosovën A”, në mënyrë që të plotësojmë boshllëkun e furnizimit me energji elektrike, deri tek aktivizimi i gjenerimit të “Kosovës së Re”. Jemi të interesuar që të investojmë në energjinë e ripërtëritshme, në burimet e ripërtëritshme të energjisë, në mënyrë që të plotësojmë kriteret e Bashkimit Evropian, sa i përket kombinimit të energjisë nga burimet e ripërtërishme dhe të atyre që nuk mund të ripërtërihen”, tha kryeministri Mustafa.

Ai gjithashtu tha se rezultatet e sigurimit të energjisë elektrike, do të shprehen drejtpërdrejt në efekte të zhvillimit ekonomik, në punësim dhe në stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit.

Greg Delawie, ambasadori amerikan në Kosovë, tha se vendit i duhet infrastrukturë e sigurt në furnizim me energji përmes së cilës sjellë investime dhe shton vende pune dhe se siguria e sektorit të energjisë elektrike është thelbësore për rritjen ekonomike dhe stabilitetin e përgjithshëm të Kosovës.

Delawie tha se qeveria amerikane, do të vazhdoj t’i mbështes përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për modernizimin e sektorit të energjisë dhe hapjen e dyerve të projekteve të reja.

Ai foli dhe për “Kosova e Re”, ku tha se në këtë projekt do të përdoren teknologjitë më bashkëkohore në dispozicion, për të përmirësuar sigurinë e furnizimit me energji dhe shtimin e efiçiencës.

Marco Mantovanelli, menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, premtoi se ky institucion do të vazhdon të jetë partner i Qeverisë në ofrimin e zgjidhjeve të besueshme.

Banka Botërore Heton Veten për Zhvendosjet në Hade