Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Funksionet Aktuale të Gjyqtarëve të Speciales

Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Avis Benes, në përgjigjet që i ka dërguar për KALLXO.com ka thënë gjyqtarët e emëruar të kësaj Gjykate janë të profilit të lartë dhe me përgatitje të lartë akademike.

Sipas listës së publikuar sot shihet se nga 19 gjyqtarët, 4 janë gjermanë, 2 francezë,  2 italianë, 2 holandezë ndërsa 9 gjyqtarët e tjerë nga 9 vende të ndryshme.

Gjithashtu nga lista bëhet e ditur se 7 prej gjyqtarëve të emëruar në Gjykatën Speciale kanë qenë të përfshirë në misionin e EULEX-it, ndërsa njëri vazhdon ende të jetë gjyqtar në Kosovë.

Nga lista e gjyqtarëve të emëruar dhe nga pozitat e tyre aktuale shihet se ka gjyqtarë me të kaluar akademike por edhe me përvojë në tribunale të ndryshme për krime të luftës.

Listës së gjyqtarëve të emëruar i prin gjyqtari nga Mbretëria e Bashkuar, Keith Raynor.

Gjyqtari Raynor shquhet për eksperiencë të madhe në fushën penale si brenda vendit të tij por edhe me përvojë ndërkombëtare pasi që ka vepruar si prokuror në ekipin për hetimin e krimeve të luftës në Irak. Në biografinë e Raynor thuhet se ai ka qenë asistent i lartë edhe në Tribunalin për hetimin e krimeve të luftës të Kmerëve të Kuq.

Roland Dekkers nga Holanda aktualisht është gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Hagë, ndërsa gjyqtarja Ann Power-Forde nga Republika e Irlandës është ish- këshilltare e lartë e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Norvegjezi Vidar Stensland po ashtu është gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Norvegji ndërsa italiani Antonio Balsami është zëvendës i prokurorit të përgjithshëm në Gjykatën Supreme të Italisë.

Kai Ambos gjyqtari gjerman aktualisht është profesor i katedrës penale, procedurës penale në Universitetin e Gottingenit.

Gjyqtarja tjetër gjermane Christoph Barthe është prokurore federale. Gjyqtari tjetër gjerman i Speciales, Michalel Bohlander, është gjyqtar hetues në UNKART, Kamboxhia.

Italiani Emilio Gatti, që do të jetë pjesë e Gjykatës Speciale, aktualisht është prokuror publik.
Gjyqtari tjetër në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou nga Franca, është gjyqtar hetues në Gjykatën e shkallës së parë në Francë. Në ta kaluarën, Guillou ishte shef i kabinetit në tribunalin për Libanin në Holandë.

Thomas Laker nga Gjermania aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Administrative në Hamburg.

Guénaël Mettraux nga Zvicra është avokat dhe profesor i të drejtës në Universitetin e Amsterdamit në Holandë.

Gjyqtari i njohur nga Çekia Vladimir Mikula aktualisht është gjyqtar i EULEX-it në Kosovë.

Edhe estonezi, Andres Parmas që dikur ishte zyrtar i EULEX-it në Kosovë, aktualisht është gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Talin të Estonisë.

Francezi, Michel Picard, aktualisht është këshilltar në Gjykatën e Apelit në Paris, ndërsa kanadezi, Keneth Roberts, është zyrtar i lartë në Dhomat e Jashtëzakonshme të Gjykatës në Kamboxhia, ECCC.

Amerikani i vetëm i kësaj liste të gjyqtarëve, Charles Smith III, është gjyqtar i tërhequr i Gjykatës Komunale.

Mappie Veldt-Foglia nga Holanda është gjyqtare në Gjykatën e Apelit në Hagë, ndërsa Christine van der Wyngaert nga Belgjika është aktualisht gjyqtare në Tribunalin e Hagës dhe gjithashtu mban titullin profesor.
Përveç gjyqtari çek, Vladimir Mikula, që është i vetmi që aktualisht shërben në EULEX, nga 19 gjyqtarët që janë emëruar, edhe 6 gjyqtarë të tjerë kanë qenë të përfshirë në misionin e EULEX-it në cilësi të ndryshme.

Këta gjyqtarë janë, Stensland, Balsamo, Gatti, Mettraux, Parmas, Smith për të cilët KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës.

http://kallxo.com/emerohen-gjykatesit-e-gjykates-speciale/