Ftohen si dëshmitar për të sqaruar traditat shkodrane në gjykimin për vrasje të rëndë

“Mos u mërzit babë, drejtësia ka me n’dritë për ne”, me këto fjalë i riu 24 vjeçar Senad Kulluaj nga Shkodra, e përshëndeti babanë e tij Ali Kullaj në Gjykatë.

I akuzuari Senad Kullaj, me prejardhje nga Shkodra e Shqipërisë gjendet në parabugrim që nga janari i vitit 2018, kjo pasi që ai po akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Senad Kullaj nga Shkodra po akuzohet se në vitin 2013, në atë kohë si 19 vjeçar, në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta në mënyrë mizore motrën Ingrid Kullaj, i shtyrë nga motive të ulëta.

https://kallxo.com/del-para-gjyqit-i-akuzuari-per-vrasjen-e-motres-duke-e-goditur-14-here-me-thike/

Ali Kullaj babai i të akuzuarit Senad Kullaj, që në këtë proces është edhe i dëmtuar, është i pari që vije në sallat ku po mbahet gjykimi, dhe është i fundit që përshëndetet me të birin e tij Senad Kullaj, e me lot po e lëshon sallën e gjykimit secilën herë para se të niset përsëri për t`u kthyer në Shkodër.

Aktakuza është e vitit 2018, pasi që i njëjti ka qenë në arrati dhe i paarritshëm për organet e drejtësisë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Senad Kullaj, avokati Ndrec Dodaj, kundërshtoi aktakuzën.

Sipas tij, Prokuroria Themelore Prizren po e akuzon personin e gabuar, sepse sipas tij këtu i akuzuari Senad Kullaj nuk e mohon faktin se ka qenë në Prizren për të takuar motrën e tij, por në asnjë mënyrë nuk e ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

Sipas avokatit Ndrec Doda është e palogjikshme që i njëjti të ketë vrarë motrën e tij duke e goditur 14 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

Deri në këtë fazë janë dëgjuar dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria Themelore Prizren, e prokurori i rastit Mehdi Sefa, kishte propozuar që të ftohen si dëshmitar edhe policët hetues që janë marrë me rastin.

Tashmë mbrojtësi i të akuzuarit avokati Ndrec Dodaj, ka propozuar që të ftohen si dëshmitar 2 shkodranë me iniciativë të Ali Kullaj, që të njëjti të sqarojnë traditat shkodrane në raste të tilla dhe të tregojnë raportet e familjes Kulla me bijën e tyre Ingrid Kullaj.

Ali Kullaj, nga Shkodra në seancën e djeshme erdhi bashkë me dy dëshmitarë, Haki Heta dhe Ylli Hasi.

Dëshmitari Haki Heta tha që familjen Kulla dhe Ali Kullën ka 30 vite që e njeh dhe shoqërohet me ta. I njëjti tha që e ka njohur edhe tashmë viktimës Ingrid Kullaj, të cilën ë gjithë i janë drejtuar me ”Kuli” si emër përkëdhelës.

I menjëhershëm ishte reagimi i prokurorit Mehdi Sefa, i cili paraqiti kundërshtimet e tij për dëshmitarin pasi sipas tij ”dëshmitarit nuk po i kujtohet emri i viktimës, konsiderojmë si dëshmitar jorelevant, dëshmitari as nuk po e di se për kënd po flet”.

“Po ju nuk po e dini as çka keni shkru në aktakuzë, e ky është dëshmitar i mbrojtjes, e ju mund t`i paraqisni mbrojtjen e jo t’më ndërprisni gjatë kohës sa paraqes pyetje”, tha avokati Dodaj, e që këto momente nuk kaluan pa tension ndërmjet prokurorit e mbrojtësit.

Pasi që gjyqtarja Raima Elezi i tërhoqi vërejtjen palëve, dhe ju tha që të mbajnë rendin dhe me qetësi të parashtrojnë pyetje dhe vërejtje, atëherë vazhdoi dëshmia e Haki Hetaj.

“Unë kam qenë me u pjek tek shtëpia e Ali Kullës, e sa e di unë viktima Ingrid Kullaj nuk është varrosur në Shkodër”, vazhdoi dëshmitari Heta të tregonte për njohuritë që kishte për familjen Kullaj.

Ai vazhdoi të tregonte së vëllezërit e Ali Kullës dhe kushërinjtë e tij e kanë kundërshtuar që ta sjellin trupin e Ingrid Kullaj për varrim në Shkodër, në të kundërtën ata: “I kanë thënë Ali Kullaj se kena me të leçit prej familjes”, e kjo sipas dëshmitarit sepse viktima Ingrid Kullaj kohë më parë ishte larguar nga shtëpia e fisit Kullaj, pa e pyetur askënd, dhe përkundër kundërshtimeve kishte ardhur në Kosovë.

“Ali Kullaj donte me marr kufomën e vajzës e me varros në Shkodër ashtu siç e do tradita, por ai nuk deshi t`i prishte raportet me vëllezër e fis, andaj edhe vendosi mos me e marrë viktimën Ingrid Kullaj në Shkodër”, sqaroi dëshmitari Haki Hetaj.

Dëshmitari në fund shtoi se: “Para se të ndodhte rasti tragjik. Kulin siç i thërrisnim ne, e kam parë në shtëpinë e saj, kjo 6-7 muaj para rastit të ndodhur”.

E kur anëtarja e trupit gjykues Sabaheta Kurteshi e pyeti dëshmitarin se nëse Ingrid Kullaj kishte ikur nga shtëpia, pse 6-7 muaj para rastit atë e kishin pranuar në shtëpi për vizitë siç tregoi dëshmitari.

“Po cili prind nuk e pranon vajzën e vet në shtëpi, ishte fëmija i saj ajo, normale që do e pranonte Ali Kullaj vajzën në shtëpi”, deklaroi dëshmitari Haki Hetaj dhe me kaq përfundoi dëshminë e tij.

Dëshmitari Ylli Hasi edhe ai tregoi se rreth 6-7 muaj pa ndodhur rasti kishte parë viktimën Ingrid Kullaj në Shkodër në vizitë te shtëpia e saj.

“Nuk e di saktësisht sa gjatë ka qëndruar, po e kemi parë të shoqërohet edhe me të vëllanë e saj Senadin, sepse e gjithë lagja e di që kanë pasur raporte të mira vëlla e motër”, tha dëshmitari.

Ylli Hasi njëjtë sikurse dëshmitari Haki Hetaj, tha që vëllezërit dhe familjarët e Ali Kullës, e kundërshtuan që i njëjti të varroste kufomën Ingrid Kullaj në Shkodër.

“Ali Kullaj u mundua shumë me kushërirë duke iu thanë se ajo është fëmija im dhe kam dëshirë ta varrosi në Shkodër, por kushërinjtë nuk pranuan, dhe e kërcënuan se do e lëçisin dhe nuk e pranojnë në shoqërinë e familjen e tyre”, tha dëshmitari Hasi.

Në seancat e radhës me datë 26 mars, do të ftohen ekspertë të propozuar nga avokati Ndrec Dodaj, ndër ta ekspertët mjeko-ligjor, dhe ekspertët që kanë punuar ekspertizën e ADN-së.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngjarja e ndodhur në qershor të vitit 2013 në Prizren, ku viktima Ingrid Kullaj është vrarë në mënyrë mizore nga vëllai i saj Senad Kullaj, ka ndodhur ndërmjet orës 03:00 dhe 06:00 të mëngjesit, kur i akuzuari Senad Kullaj sipas aktakuzës së bashku me Sead Halilajn kanë ardhur për ta vizituar viktimën Ingrid Kullaj, e cila ishte duke punuar si këngëtare- valltare në Mitrovicë, të njëjtit janë takuar në Prizren.

Sipas aktakuzës pasi që i akuzuari Senad Kullaj pasi që nuk ishin pajtuar me motrën Ingrid lidhur me punën e saj si valltare dhe këngëtare në lokalet e natës, i akuzuari Senad Kullaj papritmas me thikë me teh 21.3 centimetra, fillon ta godas motrën në pjesë të ndryshme të trupit, në shpinë, disa herë në kokë e në qafë.

Sipas aktakuzës nga goditje me thikë në pjesët e përparme të qafës, viktimës iu kishin dëmtuar rrugët e ushqimit, dhe të frymëmarrjes dhe kishte këputur enët e gjakut dhe nervat në atë pjesë, me ç’rast ka ardhur deri të vdekja e dhunshme si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e shumta prerëse e shpuese.