Fotografi Fadil Berisha Dekorohet me Çmimin “Mërgimtari i Vitit”

Ministri i Diasporës njëherësh edhe zëvendëskryeministri, Dardan Gashi është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takimin e parë zyrtar në SHBA, ministri Gashi e ka dekoruar fotografin e njohur shqiptar që vepron në Amerikë, Fadil Berishën me çmimin tradicional “Mërgimtari i Vitit”.

“Bashkatdhetarët tanë si z. Fadil Berisha janë duke i dhënë imazhin më të mirë kombit shqiptar nëpër vendet ku jetojnë dhe veprojnë. Me punën e tyre dhe sukseset e jashtëzakonshme të arritura jane bërë shembull i integrimit dhe i promovimit të vlerave të kombit tonë”, citohet të ketë thënë ministri Gashi, thuhet në komunikatën e Ministrinë së Diasporës.

Ndërsa fotografi Berisha edhe pse ka fituar shumë çmime, këtë e ka vlerësuar lart.

“Kam fituar shumë çmime, por ky është më i dashuri, sepse është afër zemrës”, ka thënë Berisha, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Diasporës.

Gjatë vizitës në SHBA, ministri Gashi do të takohet me komunitetin shqiptar në New York e Washington e do të ketë takime me kongresistë e zyrtarë të Departamentit të Shtetit Amerikan.