Logo e LDK-së - Foto: Facebook

Forumi i Gruas së LDK-së: Gratë dhe vajzat në Kosovë po dhunohen fizikisht e psiqikisht

Forumi i Gruas i LDK-së ka reaguar në lidhje me rastin e abuzimit të të miturës nga Drenasi nga mësuesi e pastaj nga pjesëtari i Policisë së Kosovës.

Ky forum thotë se ky veprim i institucioneve që thirren për mbrojtje të vlerave njerëzore është shqetësues.

Forumi i Gruas bën thirrje që personat përgjegjës të marrin dënimin e merituar.

Ky është reagimi i plotë:

“Forumi i Gruas i LDK-së është tejet i shqetësuar për rastin e fundit që ka ndodhur në Drenas, ndaj 16 vjeçares ku janë të përfshirë zyrtarë të institucioneve që janë të thirrura të edukojnë dhe mbrojnë vlerat njerëzore.

Rasti i fundit është në dëm të personalitetit dhe integritetit njerëzor të vajzave dhe grave në Kosovë.

Sot, kur ky vend ka shtet dhe institucione për të mbrojtur vajzat dhe gratë të cilat po përjetojnë dhunë, ato në vend se të mbrohen, po torturohen dhe dhunohen fizikisht dhe psiqikisht.

Andaj, si Forum i Gruas i dënojmë këto veprime dhe i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të japin dënimin e merituar përgjegjësve të këtyre rasteve dhe mos të lejojnë të bëhen dukuri që janë karakteristikë e shoqërive primitive”.