Mimoza Kusari - Lila- Alternativa

Kusari- Lila: Të kufizohet numri i klinikave ku kryhen abortet

Deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari- Lila, ka kërkuar që rasti në komunën e Drenasit nuk duhet të hetohet nga Prokuroria e kësaj komune, por duhet të kaloj në një komunë tjetër.

“Insistoj që ky rast mos të trajtohet në Drenas, nuk duhet të trajtohet atje sepse është vend i vogël. Ky rast duhet të kaloj në një Prokurori në ndonjë komunë tjetër”, tha Kusari – Lila.

Ajo ka vazhduar duke thënë se, rasti i fundit në Drenas, është rast ideal për ta trajtuar këtë temë si duhet.

“E kemi një rast ideal, në kuptimin negativ, për ta trajtuar një temë. Duhet të bëhemi bashkë pozitë e opozitë. Ky rast e tregon mungesën për mbështetje, ka munguar mekanizmi. Në shkolla nuk ka kush me i ofru mbështetje për raste të tilla. Kur ajo i drejtohet policisë, gjen tjetër gjë e jo drejtësinë”, tha ajo.

Ajo ka kërkuar po ashtu që të merren masa për përgjegjësinë e zinxhirit në Stacionin Policisë në Drenas.

“Tashmë, nuk është problemi i policit, por sistemit në përgjithësi. I them ministrit që duhet të marr përgjegjësi i gjithë mekanizmi zingjiror në Drenas”, tha deputetja Kusari- Lila.

Ajo ka propozuar edhe disa pika që të merren parasysh për rastin, ndërsa ka vlerësuar se vajzat në Kosovë trajtohen si objekt.

“Vajzat te ne trajtohen si objekt. Ne gratë deputete kemi reaguar sesi komentohemi edhe këtu në Kuvend. Hetimi të largohet nga stacioni në Drenas; Një fushatë vetëdijesuese. Të kufizohet numri i klinikave për të kryer abortin”, ka përfunduar ajo.