Prapa grilave - Ilustrim
Dosja e Prokurorisë - E kaluara kriminale e të dyshuarve në rastin e vajzës së mitur nga Drenasi
Ngjarja e cila u bë publike javën e kaluar, e cila tronditi gjithë opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë, skandali i cili shpërfaqi dyshimet për keqpërdorim seksual të një vajze të moshës 16 vjeçare, për të cilën u raportua se është keqpërdorur seksualisht fillimisht nga mësimdhënësi i saj e më pas nga hetuesi policor, është përshkruar në disa faqe prova të Prokurorisë së Shtetit.
Dosja e siguruar nga KALLXO.com sqaron momentet kur pretendohet se kishte ndodhur aborti, shuma e paguar për të abortuar dhe motelet e vendet ku pretendohet se janë kryer marrëdhëniet seksuale.
Prokuroria e Shtetit në seancën dëgjimore, e cila u mbajt javën e kaluar, me dyer të mbyllura, larg publikut dhe mediave, fillimisht kërkoi paraburgimin e policit që dyshohet se abuzoi seksualisht me vajzën 16 vjeçare nga Drenasi e më pas edhe të profesorit dhe doktorit të cilët po ashtu u përfshinë në këtë skandal.
https://kallxo.com/fillon-seanca-ndaj-policit-te-dyshuar-per-dhunim-seksual-gjyqtari-perjashton-mediat/
Sipas burimeve të KALLXO.com, në seancën dëgjimore të mbajtur në Gjykatën e Prishtinës, i dyshuari V.V. i kishte mohuar veprat penale për të cilat dyshohet.
KALLXO.com ka marrë vesh se polici i dyshuar për keqpërdorim seksual ndaj vajzës 16 vjeçare nga Drenasi edhe më herët ka qenë i përfshirë në dyshime për kryerjen e veprave të tjera penale.
Në një pyetje drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës, KALLXO.com ka pranuar informacion se në të kaluarën kriminale të të dyshuarit në fjalë, figuron se ai më herët ka qenë i akuzuar edhe për dy vepra të tjera penale.
Sipas Gjykatës, polici V.V. më herët ka qenë i akuzuar për veprat penale të lëndimit të rëndë trupor dhe të shpërdorimit të pozitës zyrtare, me ç ‘rast pas zhvillimit të procedurës penale ndaj tij, i njëjti është liruar nga akuzat.
Lidhur me doktorin F.A., Gjykata na ka njoftuar se duke u bazuar në databazën e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj tij nuk figuron se ka pasur ose ka ndonjë lëndë në procedurë.
Ndërsa për profesorin/ të dyshuarin Sh.Xh., është thënë se më herët ka pasur një lëndë në procedurë paraprake për veprën penale të keqpërdorimit seksual të personit nën moshën 16 vjeçare dhe veprën penale të kanosjes për vepra të cilat me datë 19.01.2018 janë pushuar hetimet.
Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com thuhet se polici V.V. e ka keqpërdorur pozitën kur viktima e kishte lajmëruar një rast të abuzimit seksual nga një mësues i saj.
Më tej në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com pretendohet se i pandehuri V.V. kishte siguruar të gjitha informacionet rreth viktimës – vajzës nga Drenasi.
https://kallxo.com/dosja-e-prokurorise-si-nisi-abuzimi-seksual-i-16-vjecares-nga-drenasi/
Dosja sqaron se i pandehuri më pas kishte shkuar te shkolla, dhe nga viktima kishte marrë numrin e saj të telefonit.
Pas këtij veprimi, sipas asaj që shkruhet në dosjen e Prokurorisë, polici ka filluar të komunikojë me të duke e kushtëzuar që nëse nuk del të takohet me të, ky nuk kthehet i gjallë në shtëpi.
Nga aty, sipas dosjes, i dyshuari kishte shkuar te shtëpia e viktimës, ku pas presioneve me drita të makinës e kishte detyruar të dalë jashtë.
“Me veturën e tij kanë shkuar në motel dhe aty pa dëshirën e të dëmtuarës sipas Prokurorisë i dyshuari e ka detyruar që të ketë marrëdhënie seksuale me të”, thuhet në dosje.
Prokuroria përmend disa raste, ku sipas saj, ishin kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirë, përfshirë udhëtimet në Shqipëri si Patok, Tiranë, kalanë e Rozafës, Elbasan, etj.
Shtatzënia
Sipas po kësaj dosje të Prokurorisë rasti kishte nisur në vitin 2016, kur viktima ishte 16 vjeçare, ndërsa lidhja thuhet se kishte vazhduar tutje gjatë dy viteve të ardhshme.
Në janar 2019, kur vajza ishte 18 vjeçe ajo kishte kuptuar se ishte shtatzënë në javën e 10-të.
Lajmi për shtatzëninë kishte ngritur në këmbë një aparat të tërë, ndërsa termini për abortin ishte caktuar me 15 janar në klinikën e doktorit F.A.
Aty sipas Prokurorisë aborti ishte kryer për një shumë prej 230 eurosh.
Më pas profesori dhe mjeku janë arrestuar me 7 shkurt pas hetimeve të Inspektoriatit të Policisë së Kosovës.
Pas seancës dëgjimore në një prononcim për media edhe mbrojtësi i të dyshuarit V.V., avokati Bekim Kafexholli i ka mohuar akuzat e drejtuara kundrejt klientit të tij.
Kafexholli ka thënë se nuk ka kushte ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientit të tij.
“Dje edhe mediat kanë dhënë prononcime lidhur me klientin tim, por ato vepra nuk kanë të bëjnë fare me klientin tim”, ka deklaruar avokati.
https://kallxo.com/flet-avokati-i-policit-te-dyshuar-per-abuzim-seksual-me-te-mituren/
Por disa orë pas përfundimit të seancës dëgjimore Gjykata mori aktvendim me anë të të cilit të dyshuarit V.V. i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Gjykata Themelore e Prishtinës përmes një komunikate për media më pas ka treguar arsyet për caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit, i cili dyshohet se abuzoi seksualisht me 16 vjeçaren nga Drenasi.
Gjykata ka konstatuar se lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore kundër të dyshuarit V.V. është përmbushur kriteri i veçantë për caktimin e masës së paraburgimit. Kjo për shkak se sipas Gjykatës ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprat penale të keqpërdorimit seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin si dhe veprën penale ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë.
Vendimin Gjykata e ka marrë duke u bazuar në rrethanat ekzistuese të cilat sipas Gjykatës tregojnë rrezikun e ikjes së të dyshuarit apo edhe të pengimit të procedurës penale.
https://kallxo.com/paraburgim-ndaj-policit-te-dyshuar-per-dhunim-dhe-ngacmim-seksual/
Pretendimet e policit
Polici V.V., nga Drenasi, i dyshuar për keqpërdorim seksual dhe ndërprerje të palejuar të shtatzënisë, ka mohuar para Gjykatës dyshimet ndaj tij.
KALLXO.com ka konfirmuar nga burime të veta përmbajtjen e deklaratës së policit V.V., i cili përpos që ka mohuar dyshimet, ka dhënë edhe disa sqarime.
V.V. siç mëson KALLXO.com nuk e ka pranuar veprën ndërsa ka thënë se nuk ka gisht në ato çka Prokuroria pretendon se ai i ka kryer.
“Pretendimet nuk qëndrojnë. Në vitin 2017 unë nuk jam marrë me rastin, nuk e kam trajtuar rastin, nuk kam dhënë kurrfarë kontributi”, citohet të ketë thënë V.V. para gjykatësit.
Ai citohet se ka thënë se me rastin është dashur të merret një police femër dhe ai nuk kishte lidhje me këtë ngjarje.
I dyshuari në deklaratën e tij dhënë në Gjykatë ka thënë se nuk e ka takuar viktimën në Polici.
V.V. është arrestuar javën e kaluar nën dyshimet për abuzim seksual të një vajze të lindur në vitin 2000, e cila në kohën kur e kishte paraqitur rastin në Polici ishte 16 vjeçare, ndërsa sipas dosjes ajo kreu një abort gjatë këtij viti në kohën kur ishte 18 vjeç.
Pas policit, më pas janë arrestuar edhe profesori dhe doktori, të dyshuar po ashtu lidhur me këtë rast.
Doktori F.A. i arrestuar nën dyshimin se ndërpreu shtatzëninë për vajzën nga Drenasi është liruar nga paraburgimi, por të njëjtit Gjykata i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj.
https://kallxo.com/skandali-i-drenasit-gjinekologu-lirohet-nga-burgu/
Ndërsa lidhur me profesorin Sh.Xh., i dyshuar për abuzim seksual më nxënësen e mitur nga Drenasi, Gjykata ka vendosur kundrejt kërkesës së Prokurorisë me c’rast të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë nën dyshimin se ka kryer veprat penale të keqpërdorimit seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin si dhe veprën penale nxitja e akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë.
https://kallxo.com/gjykata-vendosi-per-mesuesin-e-dyshuar-per-abuzim-seksual-ndaj-te-mitures-nga-drenasi/
.