Fjalët e Arta nga Rusia

Kampionia evropiane Majlinda Kelmendi e trajneri i saj, Driton Kuka, ndihen të gëzuar për suksesin e arritur sot në kampionatin evropian të xhudos në Kazan të Rusisë në të cilin Majlinda u stolis me medaljen e artë.

Ajo mundi në finale rivalen franceze, Priscilla Gneto, duke ia shtuar vetes dhe Kosovës edhe një sukses në arenën ndërkombëtare të sportit.

Në një deklaratë të dhënë për KALLXO.com pak minuta pas finales, Majlinda Kelmendi tha se ndihet krenare më shumë se asnjëherë më parë për këtë sukses.

“Jam krenare më shumë se kurdoherë në jetë që sporti po arrin t’i thyejë barrierat politike”, tha Kelmendi.

Në momentin kur u intonua himni i Kosovës, atë bashkë me flamurin që po ngritej në sallën ku po mbahen garat evropiane, e nderoi edhe garda e Rusisë.

Edhe trajneri i saj, Driton Kuka, u tregua i lumtur për suksesin e radhës.

“Puna e madhe po del në sipërfaqe. Jam krenar me nxënëset e mia”, tha Kuka për KALLXO.com duke iu referuar edhe suksesit të garueses tjetër nga Kosova, Nora Gjakova e cila fitoi medaljen e bronztë.