Ante Gotovina

Filmi për Ante Gotovinën Xhirohet me Tanke të Ushtrisë së Bosnjës

Veteranët e luftës në entitetin serb të Bosnjës, Republika Srpska, kanë kritikuar vendimin e ushtrisë për të lejuar kompaninë kroate të filmit që po xhiron historinë e jetës së Ante Gotovinës që të përdorë pesë tanke, disa kamionë dhe pajisje të tjera ushtarake për filmin.

Milomir Saviç, kreu i Shoqatës së Veteranëve të Republikës Srpska, e quajti vendimin “të papranueshëm”, duke u shprehur se ai nuk nxit marrëdhënie të mira midis rupeve etnike në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Gotovina u lirua nga akuzat në vitin 2012 për krime lufte gjatë Operacionit “Stuhia” të Ushtrisë Kroate në vitin 1995, i cili shkaktoi një eksod të madh të serbëve nga Kroacia.

Saviç tha se ka mbetur shumë vullnet i keq.

“Edhe pse nuk ka pasur dënim zyrtar për krimet që ai u akuzua në Gjykatën e Hagës, ky film është ende për një person nën komandën e të cilit më shumë se 20,000 qytetarë të përkatësisë etnike serbe u dëbuan nga këto territore,” tha Saviç.

Miratimi u nënshkrua nga Ministrja e Mbrojtjes i Bosnjës Marina Pendes dhe nga shefi i përbashkët i forcave të armatosura, Anto Jelec – dy kroatë etnikë.

Jeleç tha për mediat vendase se forcat e armatosura nuk do të paguanin asgjë nga kostot.

Regjisori i filmit Antun Vrdoljak ka thënë se “ai nuk do të ketë një dimension politik” dhe nuk do të merret me rrethanat e arrestimit dhe ekstradimit të Gotovinës. Ai u kap në ishujt Kanarie në vitin 2005, pasi ishte në arrati për disa vjet.

Por Aleksandra Letiç, sekretarja e përgjithshëm e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Republikën Srpska, e quajti “të papërgjegjshëm” vendimin për miratimin e përdorimit të pajisjeve ushtarake për xhirimin e filmit.

“Kjo është absolutisht kundërproduktive përsa i takon procesit të pajtimit dhe përpjekjeve për të normalizuar marrëdhëniet në Ballkan,” tha Letiç për BIRN.

Ajo tha se nuk ishte shkelur asnjë ligj, pasi Gotovina u lirua nga akuzat dhe mund të trajtohet si një person të pafajshëm, por u shpreh se ishte problematike ta bëje një figurë kaq polemike personazhin kryesor në një film.

“Të bësh filma për njerëz që krijuan këto politika dhe morën pjesë në përhapjen e një atmosfere frike, që bëri të mundur kryerjen e krimeve, është gjithçka përveçse një përpjekje e qeverisë për të krijuar një atmosferë paqeje dhe të promovojë të drejtat e njeriut dhe pajtimin,” tha ajo.

Filmi i titulluar “Gjenerali” është programuar të dalë vitin që vjen.