Fillon shpërndarja e shujtave në shkollat fillore të Kamenicës

Komuna e Kamenicës ka filluar shpërndarjen e shujtave për nxënësit e shkollave fillore.

Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati ka bërë sot shpërndarjen e kifleve dhe qumështit për nxënësit e ciklit të ulët.

Ai tha se ushqimi, ngrohja e veshmbathja janë kushtet minimale për një proces normal mësimor.

“Do të bëjmë gjithçka që shkollarët tanë përgjatë kohës së mësimit ta kenë mendjen vetëm aty”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij, arsimi është fusha me prioritetin më të lartë në Kamenicë dhe reformat që po ndërmerren janë gjithëpërfshirëse.

“Nëse do t’ia bëja vetë bilancin punës time, suksesin në Kamenicë do ta kisha matur pikërisht me suksesin në fushën e arsimit”, tha tutje ai.

Në shpërndarjen e shujtave për nxënësit e shkollave fillore në Kamenicë ka marr sot pjesë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Kënaqësi e veçantë ta përjetosh nga afër gëzimin e fëmijëve, të cilët për herë të parë sot morën shujtat falas nëpër shkolla, kiflet dhe qumështin”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

Tutje, Ahmeti ka shkruar se Komuna e Prishtinës do ta thellojë  edhe më tutje bashkëpunimin me Komunën e Kamenicës , ashtu që projektet e suksesshme të Prishtinës, të gjejnë zbatim edhe atje.