Fillojnë investimet në Banjë të Malishevës

Komuna e Malishevës ka filluar investime në fshatin e lindjes së Kryetarit të Komunës, Ragip Begaj.

Një lagjeje në këtë fshat do t’i rregullohet sistemi i kanalizimit që sipas komunës hyn në planin e përgjithshëm për rregullimin e infrastrukturës.

Këto punime, sot i kanë inspektuar nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, dhe drejtori komunal i urbanizimit, Islam Vrenezi.

Nënkryetari Berisha dhe drejtori Vrenezi, janë njoftuar me punimet që janë duke u kryer nga ana e punë kryesit, si dhe nga mbikëqyrësit e projektit, ku sipas tyre punimet janë duke u kryer sipas dinamikës së paraparë dhe deri më tani nuk ka probleme në realizimin e këtij projekti.

“Në qeveri komunale kemi për obligim që të punojmë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, përmes investimeve të cilat janë në shërbim të qytetarëve, e sidomos jemi të obliguar që të rregullojmë infrastrukturën, që është jetike për banorët në çdo vendbanim”, tha Berisha.

Ndërsa drejtori Vrenezi dha detaje mbi projektin.

“Ky është investim i Komunës së Malishevës, në kuadër të realizimit të projekteve të planifikuara të realizohen gjatë këtij viti, ndërsa në këtë pjesë të fshatit Banjë, do të rregullohet sistemi i kanalizimit në gjatësi për 1500 metrave, dhe kjo pjesë do të lidhet në kolektorin kryesor të ujërave të zeza”, tha Vrenezi.