Foto: MASHT

Ferizaj po bëhet me Shkollë të Mesme Profesionale

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka qëndruar sot në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj ku së bashku me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu kanë vënë gurthemelin e Shkollës së Mesme Profesionale.

Ministri i Arsimit ka shprehur gatishmërinë për angazhimin për një orientim profesional për të rinjtë.

“Ne jemi zotuar edhe si Ministri, por besoj edhe pushteti lokal që të angazhohemi që të rinjve tanë t’ju sigurojmë jo vetëm një edukim të mirë, por edhe një orientim të drejtë për të ardhmen e tyre”, tha Bytyqi.

Gjithashtu ministri Bytyqi tha se është shumë i kënaqur me përgatitjen e nxënësve për tregun e punës që po e bën Qendra e Kompetencës në Ferizaj.

Ai tha se Qendra e Kompetencës është një shkollë model në Kosovë.

“Ne jemi zotuar edhe si Ministri, por besoj edhe pushteti lokal që të angazhohemi që të rinjve tanë t’ju sigurojmë jo vetëm një edukim të mirë, por edhe një orientim të drejtë për të ardhmen e tyre. Shkollat profesionale janë një orientim i mirë dhe i drejtë dhe kjo është edhe arsyeja pse MAShT e ka vendosur si prioritet arsimin profesional, pra zhvillimin e shkollave profesionale, ndërtimin e tyre, si dhe bashkëpunimin me pushtetin lokal dhe bizneset”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

Kjo vizitë në Ferizaj është bërë në vazhdën e vizitave që ministri i Arsimit po bën nëpër institucionet arsimore në të gjitha komunat e Kosovës.