Fëmijët mësojnë për klasifikimin e mbeturinave – Foto: KALLXO.com

Fëmijët Mësojnë si t’i Klasifikojnë Mbeturinat

Besnik Shabiu nga Iniciativa “Let’s do it Kosova” ka thënë për KALLXO.com se ky aktivitet po fokusohet në menaxhimin e mbeturinave.

“Puna dhe aktiviteti jonë i vazhdueshëm në ruajtjen e ambientit ka bërë që të jemi pjesë  këtyre aktiviteteve dhe sot ky aktivitet po fokusohet në menaxhimin e mbeturinave, konkretisht në klasifikimin e tyre”, ka thënë Shabiu.

Ai më tutje tha se me këtë aktivitet po mundohen që të ngrenë vetëdijen jo vetëm të fëmijëve por të të gjithëve rreth klasifikimit të mbeturinave.

“Ndryshimi fillon nga fëmijët dhe po mundohemi që t’i tregojmë fëmijëve se mbeturinat megjithatë mund t’i përdorim edhe për gjëra të tjera e jo vetëm t’i hedhim siç bëjnë vazhdimisht. Përmes aktiviteteve të ndryshme këtu po mundohemi që fëmijët ta kuptojnë se çka është klasifikimi i mbeturinave por jo vetëm ata, por edhe të gjithë të tjerët që kalojnë këtu”, ka thënë Shabiu.

Sipas Besnik Shabiut populli duhet të vetëdijesohet se mbeturinat nuk janë vetëm mbetje dhe se ato duhet të trajtohen edhe si resurse.

Ndërsa Sadbere Gashi, edukatore në çerdhen “Ngjyrat”, në Hajvali, ka thënë se me këtë aktivitet po mundohen t’u tregojnë fëmijëve se edhe prej mbeturinave mund të krijojnë lodra.

“Të dallohet mbeturina se çka është letra, plastika, metali, qelqi, të ndahen nëpër vende të ndryshme, në kontejnerë të ndryshëm dhe t’i vetëdijesojmë fëmijët që disa prej atyre mbeturinave të ricikluara munden prapë me hy në funksion, që një plastikë e hedhur apo një gotë apo një shishe mund të përpunohet prapë dhe të krijohet një lodër për ta, një lodër e mirë, një top i mirë, një gotë tjetër ose shumë gjëra të tjera. Kanë shumë për me mësu. Po ne po shpresojmë që këta do të mësojnë sepse mosha e tyre është shumë e vogël edhe është shumë delikate por diçka kanë me mësu”, ka thënë Gashi.

Iniciativa “Ta pastrojmë Kosovën” nesër do të organizojë një aktivitet tjetër në parkun e Gërmisë, ku pjesëmarrës përveç vullnetarëve do të jenë edhe ambasadorë të vendeve të ndryshme.

Fëmijët mësojnë për klasifikimin e mbeturinave – Foto: KALLXO.com
Fëmijët mësojnë për klasifikimin e mbeturinave – Foto: KALLXO.com