Familja Gërvalla: Incidenti i Parapërgatitur

“Ata që janë pjesë e LDK-së dhe ndajnë vlerat dhe përgjegjësitë me ketë parti, nuk bëjnë shfaqje të tilla dhe nuk e sulmojnë LDK-në, prandaj LDK-ja nuk do t’i lejojë askujt që për çfarëdo motivi dhe interesi të krijojë përçarje dhe të tentojë të instalojë logjikën e dhunës,” thuhet në komunikatën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

LDK-ja bën të ditur se Donika Gërvalla nuk është kryetare legjitime e degës së saj në Gjermani.

“LDK-ja sqaron se gjatë procesit zgjedhor në LDK, në degën në Gjermani dhe Zvicër nuk janë mbajtur procese të rregullta zgjedhore, rrjedhimisht znj. Gërvalla, nuk është kryetare dhe nuk përfaqëson Degën e LDK-së në Gjermani,” vijon reagimi i LDK-së.

Mirëpo pa reaguar nuk e kanë lënë as familja e Donika Gërvallës që është ndjerë e shqetësuar me rastin e ndodhur.

Madje në reagimin e kësaj familjeje, LDK-ja akuzohet se kishte parapërgatitur këtë incident.

“Ky incident i parapërgatitur, tepër i rëndë jo vetëm për një femër, na e ka kujtuar kohën e regjimit pushtues serb, për të cilën ka luftuar e tërë familja jonë, duke dhënë madje edhe dy heronj,” thuhet në reagimin e familjes Gërvalla.

Ata i kanë kujtuar Kryeministrit Mustafa se femra kosovare ka qenë vlerë e paprekshme e shoqërisë sonë.

“Edhe diçka Isë: Në identitetin tonë kombëtar dhe atë historik, femra ka qenë institucion dhe vlerë e paprekshme e shoqërisë sonë,” vazhdoi reagimi i tyre.

Në anën tjetër LDK-ja ka reaguar edhe ndaj sulmeve që kësaj partie po i bëhen në rrjetet sociale, pas incidentit me Donika Gërvallën.

KALLXO.com publikoi dje pamjet ekskluzive të incidentit ndërmjet Donika Gërvallës dhe sigurimit të LDK-së që nuk e lejonin të hyjë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së drejtuar nga Isa Mustafa.

Gërvalla gjatë tentimit për të hyrë brenda ishte tërhequr zvarrë nga sigurimi, me arsyen se  nuk ishte e ftuar.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh një incident i tillë në mes të Donika Gërvallës dhe LDK-së, pasi që në zgjedhjet e fundit të brendshme të LDK-së, ajo së bashku me Kryetarin e LDK-së në Zvicër Shefqet Dibrani nuk ishin lejuar të hyjnë brenda.