Faji Jetim për Vdekjen e Trevjeçares në Prizren

Xheneta Gashi, një vajzë trevjeçare vdiq dje ndërsa dy persona tjerë u lënduan, pas shembjes së një objekti të vjetër  në Rrugën “Marin Barleti” që ndodhet në Qendrën Historike të Prizrenit.

Ymer Berisha, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit dhe këshilltari politik i kryetarit Ramadan Muja tha për KALLXO.com se komuna i ka kryer të gjitha obligimet ligjore dhe administrative në adresë të Ministrisë së Kulturës, duke dërguar drejt saj pesë shkresa zyrtare, në të cilat sipas Berishës i tërhiqet vërejtja ministrisë për gjendjen e disa objekteve.

Por Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, demanton fjalët e zëdhënësit Berisha.

“Unë nuk di të kemi pranuar ndonjëherë ndonjë shkresë nga Komuna e Prizrenit për këto objekte, madje është e kundërta-ne përmes Qendrës Regjionale në Prizren kemi pasë shkresa drejtuar komunës në këtë drejtim, mirëpo më duket e pandershme që në tërë këtë fatkeqësi të merremi ne mes vete me fajtorin. Janë institucionet përgjegjëse për hetime dhe aty do i prezantojmë të gjitha nëse është nevoja,” tha drejtoresha Aliu.

Vajza që vdiq nga lëndimet, sipas policisë në Prizren, po jetonte në kushte të rënda sociale me familjen në një objekt ngjitur me atë që u shemb.

Kontakti me këtë familje ishte i pamundur, pasi sipas informatave të KALLXO.com ajo pas tragjedisë është strehuar jashtë Prizrenit.

Prokurori i Krimeve të Rënda në Prizren Mehdi Sefa thotë se hetimet për vdekjen e katërvjeçares kanë filluar.

“Ka ardhë deri te shembja e shtëpisë së vjetër të pabanuar, me ç’rast një fëmijë, një vogëlushe e moshës 3 vjeçare-Xheneta Gashi nga plagët që ka marrë ka ndërruar jetë. Ne si Prokurori Themelore kemi ndërmarrë veprime, kemi urdhëruar që kufoma e së ndjerës Xheneta të përcillet në Departamentin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, pra është lëshuar urdhri për autopsi dhe po ashtu është kërkuar nga policia që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore,” shpjegoi prokurori.

Sipas Sefës prokuroria po kërkon përgjegjësit për këtë vdekje.

“Jemi në fazën e hetimeve për përgjegjësit eventualë të cilët kanë lejuar në këtë mënyrë që të rrënohet kjo shtëpi e pabanuar dhe të rrezikohet jeta e qytetarëve,” tha prokurori Sefa.

Pas vdekjes së Xheneta Gashit nga shembja e objektit të vjetër, organizata “Ec ma Ndryshe” kërkoi dorëheqjene  kryetarit të Prizrenit dhe dy ministrave.

“Duke shprehur pikëllimin për këtë humbje, kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ministrit të Kulturës, Kujtim Shala dhe ministrit të Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, përfshirë dhe përgjegjësinë penale për shkaktim të vdekjes si rezultat i papërgjegjësisë,” thuhet në reagimin e “Ec Ma Ndryshe”.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit Ymer Berisha reagimin e kësaj OJQ-je e konsideron të ndërtuar mbi një fatkeqësi.

“OJQ ‘Ec Ma Ndryshe’ me këto kërkesa për dorëheqje po e demanton veten e vet për arsye se bash për këto objekte ka dalë para dy jave hiq ma larg se Komuna me dhënien e lejeve për rrënimin e objekteve të vjetra po e dëmton historinë e Prizrenit, sot kur ka ndodhë ky rast dëshiron të ndërtojë një komunikatë me këtë fatkeqësi dhe unë kërkoj nga ‘Ec’-i dhe të gjitha organizatat joqeveritare të jenë serioze në secilin rast dhe të kenë ekspertët e fushave, ta mbulojnë profesionalisht problemin dhe jo të dalin me deklarata të cilat se meritojnë as minimumin e respektit e lëre më t’ i komentojmë ato,” tha Berisha.

Ndërsa Vjollca Aliu, drejtoresha Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit nuk pati koment në lidhje me kërkesën për dorëheqjen e ministrit Kujtim Shala.