Fabrika Humb dhe Gati Ndal Prodhimin për Problemet me Rrymë

Fabrika e Ujit “Kika” në Bujnovc të Kamenicës ka ndalur në masë të madhe prodhimin për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Për problemet me rrymë pronari i fabrikës Avdullah Bajra akuzon KEDS-in, me të cilën kompani thotë se ka shkëmbyer disa letra nëpërmjet postës elektronike.

Sipas Bajrës, KEDS-i ka kërkuar investime prej tij në largpërçues dhe trafo, në mënyrë që këto investime t’i kalojnë pastaj në pronësi kompanisë shpërndarëse të energjisë elektrike në Kosovë.

“Ne që 1 vit jemi në negociata me KEDS-in dhe jemi mundu me gjetë një gjuhë të përbashkët me ta, mirëpo ata dojnë që ne t’i kryejmë investimet edhe në lartpërçues edhe në trafostacion edhe të jetë pronë e tyre”, thotë Bajra për KALLXO.com.

Por zyrtarë të KEDS-it mohojnë kur flasin për KALLXO.com se kanë kërkuar që investimet e Bajrës t’u kalojnë atyre në pronësi.

“Ai thotë që kinse ne do t’ia marrim asetet energjetike në të cilat investon pas disa vjetëve, kjo nuk është e vërtetë. Nëse investon, asetet mbesin pronë e tij aq sa do të mbesin, nëse do edhe përjetë, nuk është asnjë problem. Ato asete janë të tij dhe nëse ai investon dhe i blen ato, do të mbesin gjithmonë të tij”, tha zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala.

Por KALLXO.com ka siguruar një kontratë mes KEDS-it dhe pronarit të një kompanie të titulluar “Kontratë për Bartjen e Pronësisë dhe të Drejtën e Shfrytëzimit të Përhershëm”, nga e cila shihet se KEDS-i u ofron investuesve bartjen e aseteve të tyre te kompania.

Pronari i “Kikës” Bajra ankohet se pa energji elektrike prodhimi në fabrikën e tij është zero.

“Ju po e shihni edhe vetë se për 1 javë ditë çka mundet me sjellë- produktet e gatshme të barabarta me zero. Domethënë për një javë çka nuk kemi prodhu, nuk ka asgjë, na as produkt të gatshëm s’kemi për shitje”, shpjegon Bajra duke treguar depon e zbrazët të fabrikës.

Ai tregon se vitin e kaluar ka nisur ndërtimin e dy anekseve në fabrikë për prodhimin e qelqit, lëngjeve dhe ujit medicinal, por sipas tij, nëse nuk i garantohet energji e pandërprerë elektrike do t’i ndalë këto investime.

KALLXO.com shkroi edhe javën e kaluar se qysh një biznes i nisur në verën e vitit të shkuar në qytetin e Istogut, rrezikon të mbyllet për shkak të mungesës së energjisë.

http://kallxo.com/ndalja-e-rrymes-pengon-biznesin-e-nisur-ne-korrik/