EULEX-i që e Duan Kuçi e Veseli

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, duke prezantuar projektligjet për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se qëllimi i institucioneve të Kosovës gjatë negociatave për vazhdimin e mandatit të EULEX-it ka qenë “forcimi i sovranitetit të Kosovës”.

“Kemi pasur për qëllim që menaxhimi i drejtësisë të bëhet prej institucioneve tona dhe besoj ky qëllim është arritur”, tha Kuçi.

Kuçi erdhi një seancë pas një orë pritjeje të deputetëve.

Selvije Halimi nga Komisioni për Legjislacion dha rekomandimin e komisionit për vazhdimin e mandatit të misionit të BE-së.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke folur në emër të PDK-së, tha se qëndrimi i EULEX-it në Kosovë është alternativa e evetme.

Por ai kishte vërejtje.

“Do të doja ta ngrisja mënyrën e bashkëpunimin mes nesh, sa po e ndihmon EULEX-i integrimin e Kosovës në BE. Kemi arritur shumë progres, por aty ku ka ngecje është mungesa e shtetit ligjor”, tha veseli.

“Unë do të vazhdoja që ky vazhdim i mandatit të EULEX-it të kontribuonte në këtë drejtim, për të mos lënë fajësim mes palëve duke e lënë fajin jetim. Duhet të kemi partneritet, jo të ndahemi”, u shpreh Veseli.

“Çdo dështim që i ndodh komponentes së drejtësisë në Kosovë, përgjegjësinë e marrim ne kosovarët”, tha ai.

Një pjesë të madhe të fjalimit të tij, Veseli ia kushtoi akuzave ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Këtu ai ishte i ashpër.

“Të ndalen sulmet ndaj UÇK-së. Deri në shtator 99 ka pasë UÇK, ka pasur komandantë. Le ta harrojnë të gjithë matrapazët, të gjithë akuzuesit se do t’i bëjnë ushtarët e UÇK-së ta ulin kohën për të ligat që kanë ndodhur pas shtatorit 1999”, tha Veseli.

“Lëni mos i lodhni luftëtarët. Ka emra. Kadri Veseli është emër. Nëse keni diçka, thuani Kadri veseli. Shkoni në prokurori, mos iu frikësoni askujt. I keqi është i keq. Por paragjykimet ndaj luftës dhe ish- luftëtarëve duhet të ndalen”, u shpreh ai.