Enver Hasani

Enver Hasani Nuk Deklarohet Rreth Fajësisë

Avokati i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha sot se i ka propozuar klientit të tij të mos deklarohet rreth fajësisë ose pafajsisë lidhur me akuzat që i vihen në barrë.

Bajram Tmava tha se ka vendosur kështu pasi që, sipas tij, aktakuza nuk është përpiluar konform nenit 241 të Kodit të Procedurës Penale.

Këtë deklaratë avokati e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori.

Në fakt, avokati Tmava e shtjelloi një opinion të tijin me shkrim, në bazë të të cilit i kërkonte klientit të tij të mos deklarohej rreth fajësisë.

Në këtë rast, avokati i propozoi gjyqtarit ta zbatojë dispozitën e nenit 242, paragrafin 3, lidhur me këtë opinion.

Prokurori replikoi duke thënë se nuk qëndrojnë vërejtjet e avokatit.

Pastaj, gjyqtari tha se është i obliguar ta ndërprejë seancën dhe të vendos me vendim të veçantë lidhur me këtë opinion.

Enver Hasani akuzohet nga Prokuroria Speciale për dy vepra penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe falsifikim i dokumentit.

Sipas aktakuzës, Enver Hasani në mënyrë të kundërligjshme në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në lidhje me dekretin e Presidentes që kishte të bënte me vazhdimin e mandatit për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, Hasani ka shënuar edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan, edhe pse ky gjyqtar nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

http://kallxo.com/supremja-hap-rruge-gjykimit-te-enver-hasanit/

Për aktakuzën ndaj Hasanit u bë debat në janar të këtij viti në emisionin “Jeta në Kosovë”.