Ende mungojnë letrat e certifikatave nëpër komuna

Qytetarët nëpër shumë komuna në vend janë ankuar për mungesën e furnizimit me certifikata origjinale nga zyra e Gjendjes Civile.

Po bëhet gati një vjet i plotë që kur Ministria e Punëve të Brendshme kishte hapur tenderin për furnizim me certifikata të gjendjes civile. Ky tender kishte dështuar pasi është anuluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit në muajin janar të vitit 2019, rreth 5 muaj pasi ky tender ishte hapur.

Tre muaj më vonë, në mars të vitit 2019. Ministria e Punëve të Brendshme kishte hapur përsëri tenderin për furnizim me certifikata të gjendjes civile me vlerë të parashikuar mbi 1 milionë euro.

Më 11 qershor, Ministria e Punëve të brendshme ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës, në të cilën si fitues i kësaj kontrate është rekomanduar “NTSH DIARI ; DPI PRINT CENTAR
DOO; PONIR Vesna i Marjan doo” nga Shkupi.

Sot, më 17 qershor, Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar edhe kontratën kornizë të nënshkruar me operatorin ekonomik fitues.

Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 415.660 mijë euro, më pak se gjysma e vlerës së parashikuar fillimisht. Sipas kësaj kontrate, për 36 muaj kjo kompani do të ofrojë 5.9 milionë copë letra për certifikata të gjendjes civile.

Gjatë muajve të fundit qytetarët janë përballur me mungesa të letrave origjinale të certifikatave të gjendjes civile. Në mungesë të letrave orogjinale, atyre u janë lëshuar dokumente të printuara në fleta të bardha të madhësisë A4.

Për mungesën e letrës origjinale për certifikatat e gjendjes civile ka pasur edhe ankesa nga qytetarët. Në Kallxo.com, një qytetar ka raportuar se në Komunën e Ferizajt tashmë po bëhen dy muaj që ka mungesë të letrës origjinale për certifikata të gjendjes civile.

KALLXO.com ka kontaktuar më drejtoreshën e Administratës në Ferizaj, Aurora Ramadani, e cila ka deklaruar se janë në pritje nga Agjencia e Regjistrimit Civil e cila është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Nga shumë kërkesa të adresuara ARC-se për furnizim me letër origjinale te certifikatave, kemi marrë përgjigje se janë në procedurë të prokurimit. Ne vazhdimësi kemi bërë kërkesa të reja dhe kemi kërkuar njoftim lidhur me zgjidhjen e këtij problemi dhe me datën qe do të jenë të gatshëm te na furnizojnë përsëri, mirëpo, nuk kemi pranuar diçka të tillë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Izmi Zeka, zëvendësministër në ministrinë e Punëve të Brendshme theksoi për KALLXO.com së të gjitha procedurat e tenderimit kanë përfunduar, dhe së në një kohë të shkurtër të gjitha komunat do të furnizohen me certifikata.

“Procedurat e tenderimit të gjitha janë kryer dhe sot është nënshkruar kontrata për certifikata dhe unë besoj që brenda një kohë të shkurtër, nuk mund të garantoj për sa ditë por do të ketë certifikata në të gjithë territorin e Kosovës. Nuk do të ketë më probleme, dhe shfrytëzoj rastin që t’i kërkoj falje qytetarëve për këtë mungesë që ka qenë përgjegjësi e jona por megjithatë janë disa procedura që nuk varen krejtësisht nga ne”, u shpreh ai.

KALLXO.com kishte raportuar gjithashtu së edhe Komuna e Prishtinës mbetet pa certifikata për shkak të anulimit të tenderit të MPB-së nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka dështuar furnizimi me certifikata në të gjitha Komunat.

“Me sasinë e certifikatave që momentalisht disponojmë në Komunën e Prishtinës, shërbimet mund të ofrohen deri sot, 28 mars 2019, në orën 12:00. Pas orës 12:00, zyrat e Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës nuk do të jenë në funksion”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës, më 28 mars 2019.