Ilustrim, Foto: Kallxo.com, Gastronomia

Komuna e Prishtinës obligon gastronominë të furnizohen me pajisje që masin zhurmën dhe me certifikatë për decibelët e lejuar

Komuna e Prishtinës ka njoftuar lokalet në sektorin e gastronomisë se me Rregulloren e re duhet të pajisen me certifikatë që përcakton orarin e punës dhe decibelët e lejuar të zhurmës.

“Ju njoftojmë se, me rregulloren e re në fuqi për matjen e zhurmës , subjektet afariste në sektorin e gastronomisë në Kryeqytet OBLIGOHEN të furnizohen me pajisje që masin nivelin e zhurmës së emituar jashtë, rrjedhimisht të pajisen me certifikatë që përcakton orarin e punës dhe decibelët e lejuar”-thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Sipas njoftimit, subjektet afariste si: kafenetë,  restorantet, baret, klubet e natës dhe të gjitha hapësirat e gastronomisë në kuadër të lokaleve që ushtrojnë veprimtari të ndryshme, të shfrytëzojnë afatin e aplikimit deri më 13 mars 2023, në ora 16:00, për vendosjen e pajisjeve për matjen e nivelit të zhurmës.

Aplikimi online, sipas Komunës mund të bëhet në linkun : https://apliko.ndotja-akustike.com. Ndërsa, aplikimi fizik në objektin e vjetër të Komunës.

Në vitin 2022, Komuna e Prishtinës kishte hedhur në konsultim publik Rregulloren për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndotja akustike në sektorin e gastronomisë.

Me këtë rregullore përcaktohet orari i punës për subjektet afariste në sektorin e gastronomisë si dhe parandalimi dhe shmangia e efekteve të dëmshme, përfshirë bezdisjen e qytetarëve si rezultat i ekspozimit të zhurmës të krijuar nga sektori i gastronomisë.

Zhurma e lokaleve të Prishtinës, Komuna e hedh në konsultim publik projekt-rregulloren për ndotjen akustike

Planifikohet që nga janari i vitit 2023 të nisë vendosja e 1 mijë pajisjeve për matje të zhurmës në kafeteritë në Prishtinë