Pallati i Drejtësisë - FOTO: Fatrion Ibrahimi / KALLXO.com

Rasti i ‘Klan Kosova – MINT’ përfundon në Gjykatën Komerciale

Rasti i pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit ‘’Klan Kosova’’ është pranuar në Gjykatën Komerciale të Kosovës, përkatësisht në Dhomat e Shkallës së Parë më 1 gusht 2023, dhe e njëjta do t’i ndahet gjyqtarëve të departamentit përkatës sipas shortit të ndarjes së lëndëve në ditët në vijim.

Këtë për KALLXO.com, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, Albënora Bekteshi – Hoti.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit më 28 Korrik, 2023.

Sipas njoftimit të MINT, këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.

Në njoftim thuhet më tej se pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.. Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë” – thuhet në njoftimin e MINT.

Ministria thotë se “Klan Kosova” Sh.P.K. pas kaq shumë vitesh ka nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.

“Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për “pronarët e vërtetë të subjektit” KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si “Kosovo”, ndërsa shteti i vet ende si “Serbia”, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë” – thuhej tutje në njoftimin e Ministrisë.

Më 14 qershor MINT kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova” Sh.P.K.

Pas këtij vendimi ka pasur reagime të shumta nga akterë të shumtë në Kosovë, duke e cilësuar këtë si censurim të fjalës së lirë.

Në lidhje me vendimin e MINT-it, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar si jetike lirinë e mediave, ai është shprehur se ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore.

“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore, jo një “teknikitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”- ka shkruar Kurti në Twitter.

“Liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën një sulm ndaj lirisë së medias”-ka shtuar Kurti.

Kurse, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, përmes një reagimi të përbashkët kanë  shprehur shqetësimin e tyre të thellë për këtë vendim të MINT.