Dokumentet që nxirren në ‘e-Kosova’ nuk vlejnë jashtë vendit

Certifikata e lindjes, ekstrakti i lindjes, certifikata e martesës, certifikata e vdekjes, si dhe shërbimi për vazhdimin e regjistrimit të veturës, janë disa nga shërbimet e reja elektronike në portalin e-Kosova, por që nuk vlejnë jashtë Kosovës.

Lansimi i këtyre shërbimeve u bë më 9 qershor të këtij viti, e në këtë lansim morën pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Madje, nga Qeveria e Kosovës ishte njoftuar se për vetëm tre ditë pas lansimit të këtyre shërbimeve ishin shkarkuar rreth 20 mijë certifikata në platformën E-Kosova.

Mirëpo, në një përgjigje për KALLXO.com nga Ministria e Punëve të Brendshme është thënë se këto certifikata vlejnë vetëm për përdorim të brendshëm.

“Të gjitha dokumentet e gjendjes civile që lëshohen në letër të bardhë, si nga Zyrat e Gjendjes Civile, Postet Konsullore apo platforma e-Kosova janë për përdorim të brendshëm”, është thënë në përgjigjen e MPB-së për KALLXO.com .

Sipas kësaj ministrie, një gjë e tillë është e rregulluar në bazë të Udhëzimit Administrativ për Dokumentet e Gjendjes Civile.

Në përgjigjet e MPB-së është thënë se Neni 9, paragrafi 2 i këtij udhëzimi tregon se për përdorim brenda vendit dokumentet e gjendjes civile lëshohen në letër të bardhë standarde të formatit A4, ndërsa dokumentet për përdorim jashtë vendit lëshohen në letër të veçantë sipas specifikave të përcaktuara nga Agjencia e Regjistrimit Civil.

Dokumentet që ofrohen nga Regjistri Qendror i Gjendjes Civile dhe lëshohen përmes platformës elektronike e-Kosova janë Certifikata e lindjes, për vete dhe anëtarë të familjes, Ekstrakt nga Regjistri Qendror i Gjendjes Civile, për vete dhe anëtarë të familjes, Certifikata e martesës, për vete dhe anëtarë të familjes si dhe Certifikata e vdekjes për anëtarë të familjes.

MPB tutje ka thënë se verifikimi nga platforma elektronike e-Kosova bëhet për të gjitha dokumentet e gjendjes civile që përmbajnë QRCod, pavarësisht platformës së lëshimit të tyre.

Po ashtu, sipas MPB-së, sa i përket regjistrimit të automjeteve në platformën e-Kosova realizohet aplikimi për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve, si dhe mund të kryhet edhe pagesa elektronike, por prapë qytetari dhe biznesi duhet të shkojnë në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për t’i vulosur Librezat, që nënkupton se nuk ka ndonjë dallim siç është aktualisht.

 

Kurti dhe Sveçla bëjnë lansimin e disa shërbimeve të reja elektronike përmes platformës ‘e-Kosova’