Ministria e Punëve të Brendshme. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nënshkruhet kontrata, MPB pritet t’i furnizojë komunat me certifikata të gjendjes civile

Ndonëse po bëhen gati një muaj që administratat komunale në Kosovë kanë hyrë në grevë, në anën tjetër Ministria për Punë të Brendshme në vend, pritet t’i furnizojë zyrat e komunave të Kosovës me certifikata të gjendjes civile. Për furnizimin me certifikata, u nënshkrua kontrata në vlerë 240 mijë euro.

Më datën 3 mars 2022, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), shpalli tender për furnizim me certifikata të gjendjes civile.

Për këtë tender, ministria kishte parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë 540,000 euro, me kohëzgjatje 36 muaj.

Ky tender, nga ministria ishte hapur në emër të autoriteteve tjera kontraktuese, për zyrat komunale të 38 komunave dhe MPJ-së.

Nëpërmjet kësaj kontrate parashihen të furnizohen me 3,000,000 certifikata të gjendjes civile.

Procedura e hapur e prokurimit, ishte lloji i procedurës së përdorur, me kriter për dhënie të kontraës çmimi më i ulët.

Në këtë aktivitet të prokurimit u pranuan 3 tender, ku vetëm njëri nga ta u vlerësua i përgjegjshëm.

Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët ishte i grupit të operatorëve ekonomik NTSh “Diari”, “DPI Print Centar DOO”, me vlerë të përgjithshme të kontraës 240,000 euro.

Sipas kontratës, për një certifikatë, shteti paguan 8 cent.

Kujtojmë, se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) me datë 25 gusht 2022 ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend.

BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës. Në grevë tashmë kanë hyrë administrata komunale e institucione të tjera të vendit.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.

Nis greva e sektorit publik në Kosovë