Emërimi i prokurorëve nga Presidenti | Foto: KALLXO.com

Emërohen 25 Prokurorë të Rinj të Shtetit

25 prokurorë të rinj u emëruan sot nga Presidenti Thaçi, duke dhënë betimin para tij.

“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës si Prokuror i Republikës së Kosovës, do t’i qëndroj besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe do të ushtroj funksionin e prokurorit me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke i respektuar rregullat e etikës profesionale,” thanë prokurorët tekstin e betimit të tyre.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Presidentit, Thaçi dekretimin e prokurorëve e kreu në bazë të kompetencave që ia jep kushtetuta dhe në pajtim me propozimin e Këshillit Prokurorial.

Presidenti Thaçi u tha prokurorëve se do ta kenë mbështetjen e tij, ndërsa kërkoi nga ta një vendosmëri dhe një luftë të pakompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe të jenë aktivë në luftën kundër terrorizmit.

“Konsolidimi i sundimit të ligjit është një nga prioritetet kryesore të shtetit tonë. Kjo luftë do të forcojë shtetin përbrenda, do të rrisë sigurinë, do të rikthejë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Suksesi juaj do të forcojë perspektivën evropiane të Kosovës. Ju do ta keni mbështetjen time të plotë,” tha Thaçi.

Lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit është një ndër kriteret për lëvizje të lirë të kosovarëve në Zonën Shengen.

Në ceremoninë e emërimit të prokurorëve të rinj ishte edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ka kërkuar nga prokurorët e rinj angazhim maksimal, sidomos në fazën e ardhshme trevjeçare, e cila do të jetë periudhë provuese për ta.

Prokurorët e emëruar sot do të kenë mandat fillestar prej 3 vjetësh.