Ekspert Special për të Zbardhur ‘Qëllimin Terrorist’ të Gavriqit

Një ekspert i eksplozivëve do të hedhë dritë mbi dilemën nëse eksplozivi i gjetur në çantën e Sllobodan Gavriqit ishte i dedikuar për të kryer një shpërthim të madh në Prishtinë.

I apostrofuar si terroristi i cili deshi të kryente një akt terrori në Prishtinë, Gavriq ka kërkuar nga prokuroria t’i sqarohen disa prova të cilat ndodhen në lëndën e tij.

Në seancën gjyqësore të 18 janarit e cila u mbajt nën masa të rrepta të sigurisë, Gavriqit i është sqaruar se ndaj tij janë deponuar 14 prova materiale përfshirë disa raporte të policisë dhe ekspertëve.

Megjithatë për të sqaruar qëllimin e sjelljes së eksplozivit në Kosovë, prokurorja speciale Drita Hajdari ka kërkuar që në seancën e radhës të paraqitet një ekspert i cili do zbardhë se për çfarë ishte i përgatitur eksplozivi.

Gavriq u kap me rreth 12 kilogramë eksploziv në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë pasi makina e tij u ndal nga Policia në lagjen “Arbëria”.

Sipas aktakuzës, eksplozivi i Gavriqit ishte marrë në Beograd dhe kishte për qëllim kryerjen e një akti terrorist.

Mbrojtja dhe vet Gavriq në vazhdimësi e kanë kundërshtuar pretendimin e prokurorisë duke pretenduar se Gavriq ishte vetëm transportues i eksplozivit i cili ishte dedikuar për shitje.

Avokati i Gavriqit, Dejan Vasiq u shpreh i pakënaqur pas seancës së sotme gjyqësore.

“Paraprakisht është dashur që të dëgjohet eksperti i cili neve laikëve do të na shpjegonte se si bëhen eksplozivët, cilët janë përbërësit, cilat janë karakteristikat, dhe pastaj të hyjmë e të nxjerrim dëshmi që kanë të bëjnë me vetë veprimet e policisë që e kanë arrestuar Gavriqin dhe parregullsive të tyre e të tjera”, tha Vasiq.

Gjyqi ndaj Gavriqit mbahet në Gjykatën Themelore të Prishtinës para një trupi gjykues të përbërë nga gjykatës vendorë.