Ekspert për Ligjin e Kategorive të Dala nga Lufta

Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka përzgjedhur një ekspert për të ndihmuar në Projektligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre.

Kryetarja e Komisionit Flora Borvina tha se janë paraqitur tre kandidatë ndërsa njëri nga ta duhet të përzgjidhet. Propozimi i Brovinës ishte që të përzgjidhet Emrush Ujkani.

“Në propozim janë paraqitur tre kandidatë: Emrush Ujkani, Rexhep Bllaca, Arsim Mulaku. Tu e pa përvojën e Emrush Ujkanit edhe në ligjet e tjera që kanë qenë dhe me përvojën dhe jo vetëm sa i përket statusit të drejtave të dëshmorëve por edhe ligjeve tjera, e konsideruam si një ekspert dhe këtë propozim qoftë edhe për këta të tjerët e sjell në diskutim që të procedojmë sa më shpejt,” tha ajo.

Edhe komisioni ka vlerësuar se në bazë të përvojës së paraqitur Emrush Ujkani i ka plotësuar kriteret e kërkuara.

Deputetja Njomza Emini nga LDK-ja tha se duhet një ekspert që të ndihmojë sa i përket këtij projektligji.

“Unë i kam lexu biografitë e tre kandidatëve. Mendoj që të tre kanë qenë të mirë po me kriteret dhe kushtet që neve na duhet një ekspert, mendoj që është kandidati Emrush Ujkani,” tha ajo.