Kuvendi Komunal i Pejës, Pejë, 04 qershor 2015 Photo: Atdhe Mulla

Ekskursioni i Shtrenjtë i Maturantëve të Pejës

Komuna e Pejës për dërgimin e maturantëve në Shqipëri ka zgjedhur kompaninë e një zyrtari të LDK-së.

Ndaj kësaj përzgjedhjeje të Komunës së Pejës reagoi Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në këtë qytet.

“Nuk është  hera e parë që kjo kompani, pra, ‘Zekaj Tours’ përfiton nga Komuna e Pejës, pasi që pronari i ‘Zekaj Tours’ është  anëtari i Kryesisë së LDK-së në Pejë Faruk Zekaj, e vëllai i tij Faik Zekaj është i punësuar ne Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport,” thuhet në reagimin e AAK-së.

Kjo parti opozitare në Pejë fitimin e tenderit për shëtitjen e maturantëve pejanë e cilëson konflikt interesi.

“Nëse në një  tender ka konkurruar dikush me një kompani që është  pronar apo bashkëpronar dhe ai është edhe zyrtar komunal është konflikt interesi,” thuhet më tutje në reagimin e AAK-së.

Përveç që është e zyrtarit të LDK-së, kjo kompani sipas AAK-së ka qenë më e shtrenjtë në ofertën e saj.

“Drejtoria e Arsimit në Komunën e Pejës shpalli tenderin për shëtitjen e maturanteve ne Shqipëri, ku këtë  tender e fitoj “Zekaj Tours” edhe pse oferta e tyre ishte më e shtrenjta. Për një maturant çmimi për udhëtim në Shqipëri , ushqimi dhe fjetja, si dhe shëtitjet qe i bëjnë nëpër disa qytete te Shqipërisë ishte bërë  nga 105 euro për person,” vijon reagimi i AAK-së.

KALLXO.com provoi të kontaktojë edhe zyrtarin Faik Zekaj, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës Engelbert Zefaj ofertën e kompanisë fituese e cilësoi më të volitshmen.

“Nuk ka fare ndikim politik, ka qenë oferta me e volitshme,” tha Zefaj për KALLXO.com.

Dega e AAK-së në reagimin e saj tregoi edhe çmimet e ofertuesve tjerë për ekskursionin e maturantëve në Shqipëri.

“Kompania ‘Try Tours’ ka konkurruar me çmimin më të ulët, 80 euro për një person, e që realisht kjo kompani duhej te fitonte. E dyta ishte ‘Pranvera Tours’, ku për  një  person e kishte çmimin 85 euro, ndërsa këtë  tender e fiton ‘Zekaj Tours’ ,” thuhet në reagim.

Edhe pronari i “Try Toursit” Shaqë Fetaj tha se ishte ofertuesi më i lirë.

“Ne ende askush nuk ka njoftuar që zyrtarisht është bërë shpallja e fituesit, atë e kemi marrë vesh sot në mëngjes kur i kemi parë në orën 07:00 të mëngjesit duke i bartur nxënësit. Ne kemi qenë ofertuesit me të lirë me 80 euro dhe të gjitha kriteret që janë kërkuar ne i kemi plotësuar, kurse oferta e tyre ka qenë me 99 euro,“ tha Shaqë Fetaj për KALLXO.com.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për ankesa rreth përzgjedhjes së kompanive, ose objekteve hoteliere gjatë ekskursioneve.

http://kallxo.com/kurdisja-e-ekskursioneve-ne-suhareke/

Keqpërdorin Ekskursionet

Ekskursione Keqpërdorimesh

“Drejtësia në Kosovë” vitin e kaluar një hulumtim ua ka kushtuar keqpërdorimeve të ekskursioneve në Mitrovicë.

http://kallxo.com/tenderi-i-ekskursioneve-i-fituar-nga-njerezit-nen-dardhen-e-pushtetit/