Keqpërdorin Ekskursionet

Gjykata e Qarkut në Prizren, më 12 shtator 2011, ka filluar shqyrtimin kryesor ndaj tre zyrtarëve të Drejtorisë Komunale në Prizren: Nexhat Çoçaj, drejtor; Reshit Kushaj, zyrtar për tri nivelet e arsimit në këtë drejtori dhe Nezir Osmani, zyrtar për buxhet.

Akuza e ngritur nga prokuroria dhe e konfirmuar nga gjykata, i ngarkon zyrtarët e DKA-së se më 9 maj 2009, me qëllim fitimi të dobisë pasurore, e shpërdoruan detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare. Sipas aktakuzës, megjithëse firma transportuese NTSH “Shpejtimi” nga Suhareka i plotësonte kriteret për tenderin lidhur me dërgimin e maturantëve të shkollave të mesme të Prizrenit në bregdetin e Shqipërisë, të akuzuarit nuk e përfillën ftesën për ofertë dhe si fitues shpallën firma më të shtrenjta dhe të cilat nuk ishin të licencuara nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë (MTI). Në ftesën për ofertë parashihej si kusht edhe pajisja me licence nga MTI-ja.

Pronari i kompanisë “Shpejtimi”, Ekrem Veselaj, ka bërë padi në Prokurorinë e Qarkut, duke deklaruar se i është shkaktuar dëm nga fitimi i humbur në vlerë prej 40,250 euro. Ai, po ashtu, përmendi se për pajisje me licencë nga MTI paguan 20 000 euro në vit, e cila është garanci për kalimin e grupeve jashtë shtetit.

Sipas tij, “Shpejtimi” ishte një nga kompanitë e pakta që konkurruan, që posedonte licencë dhe i plotësonte të gjitha kushtet, dhe kishte ofruar çmimin më të lirë – 108 euro për nxënës. Ndërsa kompanitë fituese kishin ofruar çmim prej 115 eurosh.

 “A e dini pse?! Sepse të gjitha të hollat tjera qka janë mbi 108 euro shkojnë në gjepin e drejtorit Nexhat Çoçaj”, iu drejtua Veselaj, trupit gjykues.

Pas ankesës nga kompania “Shpejtimi”, MTI ka urdhëruar që ditën e nisjes kompanitë që janë pa licenca, mos të lejohen të kalojnë kufirin Kosovë – Shqipëri.

Ata që ia panë sherrin kësaj pune, ishin maturantët , të cilët mbetën në rrugë 16 orë të tëra, nga ora 18 deri ditën e nesërme në ora 10, kur kishin ardhur kompani të tjera, që ishin të licencuara dhe i morën nxënësit për t’i dërguar në pushime. Me kompanitë e thirrura të nesërmen, DKA nënshkroi kontratat buzë lumit Drin.

Zyrtarët e DKA-së janë arsyetuar se kompania “Shpejtimi” nuk e fitoi tenderin pasi një vit më parë kishte marrë referenca negative nga shkollat e mesme.

Duke ndërhyrë,Veselaj shprehu habinë si ka mundësi që kompania e tij mori referencë negative, megjithëse ishte nënkontraktuese, ndërsa kompania kontraktuese “Jeta” mori referencë pozitive dhe fitoi sërish tenderin.

Para trupit gjykues, u dëgjua edhe dëshmitari Ridvan Hoxha, ish-drejtor i shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni”. Ai tregoi se qysh nga fillimi ka pasur vërejtje, sidomos në përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit, pjesë e të cilit duhej të ishin edhe drejtorët e shkollave.
Madje, në shkollën e tij u shpall fituese kompania “Sharr Travel”, e cila fare nuk kishte aplikuar.

Vepra penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare dhe i autorizimit” është paraparë në nenin 339, paragrafi 3 i Kodit Penal të Kosovës dhe në rast se drejtori Çoçaj dhe dy zyrtarët e tjerë shpallen fajtorë, rrezikojnë të dënohen me burgim prej 1- 8 vjet.

Seanca e radhës do të mbahet, pasi gjykatës t’i prezantohet ekspertiza e ekspertit financiar, në lidhje me vlerësimin e fitimit të humbur të kompanisë “Shpejtimi”. Më pas pritet fjala përfundimtare e palëve dhe nga gjykata do të jepet verdikti final.