Ekskursione Keqpërdorimesh

Organizimi i ekskursionit të sivjetmë për maturantët, të cilët dërgohen nga shkollat në udhëtime pesëditore në Shqipëri, hapi telashe si për agjencionet turistike ashtu edhe për drejtorët e drejtorive komunale të arsimit.

Florim Gashi, nga kompania turistike “Atmaxha Tours” nga Prizreni, ka rrëfyer në Gazetën Jeta në Kosovë për dallaveret që i janë bërë kompanisë së tij nga Drejtoria komunale e Arsimit në Prizren.

“Kanë qenë dhjetë kompani tenderuese, tri prej të cilave kanë hyrë në rrethin e ngushtë, njëra prej tyre është edhe kompania ime. Në fund unë e kam fituar tenderin për shkollën e mesme të Gjimnazit ‘Gjon Buzuku’”, tha Gashi.

foto  
Florim Gashi, “Atmaxha”  

 

Mirëpo kompanisë “Atmaxha” i ndodhi një befasi dy ditë para se të niset me nxënësit për andej kufirit. “I bëmë të gjitha përgatitjet, paguam hotelin në Shqipëri”, tha Gashi. “Ditë para nisjes, më 5 maj 2012 (e shtunë), e kam marrë njoftimin që më është anuluar kontrata”.

“Sipas atij njoftimi, ka pasur shkelje procedurale gjatë tenderimit”, shtoi ai. “Ditën e diel, pa u hapur fare ofertat ashtu siç e kërkon ligji, është zgjedhur kompania tjetër ‘Sharr Travel’, me të cilën i kemi pasur të gjitha kushtet absolutisht të njëjta”.

“Këto punë mund të kryheshin nën tavolinë”

Florim Gashi tha se drejtori i DKA-së në Prizren, Nexhat Çoçaj, në prani edhe të pronarëve të dy kompanive tjera turistike “Bashkimi Reisen” dhe “Zhur Tours”, i kishte kërkuar atij marrëveshje “nën tavolinë” për kontrata ekskursionesh.

“Kur kam shkuar në takim me drejtorin e DKA-së, Nexhat Çoçaj, kam kërkuar shpjegim pse mu ka anulu kontrata”, tha Gashi. “Ai më ka thënë ‘tani i kemi ndërruar zyrat dhe tavolina është e madhe – këto punë kishin mundur të kryhen nën tavolinë’”.

“Me këtë kam kuptuar se drejtori po kërkon me pagu, për me i marrë tenderët. Një gjë të tillë unë nuk e kam pranuar. Në këtë rast prezent kanë qenë Islam Ukimeri nga kompania ‘Bashkimi Reisen’ dhe Sami Gavazaj nga ‘Zhur Tours’”, tha Florim Gashi.

Gazeta ka kontaktuar edhe pronarët e kompanive të lartcekura. Të dy – Sami Gavazaj dhe Islam Ukimeri – konfirmuan fjalët e Florim Gashit nga agjencioni turistik  “Atmaxha”.

foto  
Islam Ukimeri, “Bashkimi Reisen”  

 

“Ne në kuadër të shoqatës së autobusëve kemi shkuar në DKA, sepse kemi pasur disa ankesa në lidhje me organizimin e ekskursionit. Aty është e vërtetë se drejtori Çoçaj i ka thënë Florim Gashit se ‘këto punë është dashtë të kryhen duke ardhur tek unë (Çoçaj)’. Mirëpo, qëllimin nuk e di se ku e ka pasë. Se e ka thënë, e ka thënë”, tha Ukimeri i “Bashkimi Reisen”.

Të njëjtin version e dha edhe Sami Gavazaj nga “Zhur Tours”.

Gazeta ka kërkuar të intervistojë Drejtorin e DKA-së, Nexhat Çoçaj, mirëpo ai nuk ka pranuar të flasë.

Kompania turistike “Atmaxha Tours” kishte fituar tenderin në shkollën e mesme të Gjimnazit “Gjon Buzuku”. Drejtori i shkollës, Shaip Buduri, tha për gazetën se kishte pasur shkelje gjatë ofertimit dhe tenderimit të ekskursioneve si dhe tha se “për shumëçka që ka ndodhur” ka qenë i detyruar të veprojë në bazë të instruksioneve të drejtorit të DKA-së në Prizren, z.Nexhat Çoçaj.

“Policia e krimeve ekonomike më ka detyruar ta anulojë kontratën me ‘Atmaxhën’ për shkak se më kanë thënë se janë bërë shkelje të udhëzimit administrativ 35/2008 dhe unë kam qenë i detyruar ta bëjë një gjë të tillë”, tha drejtori Buduri.

“Mirëpo, ka qenë shumë e habitshme për mua që pa u hapur fare ofertat është zgjedhë kompania tjetër në ditë vikendi”, shtoi ai.

foto  
Shaip Buduri, drejtor i shkollës “Gjon Buzuku”  

 

“Me rastin e shkëputjes së kontratës ditën e shtunë dhe lidhjen e kontratës me kompani tjetër po në ditë vikendi, e diel, kemi bërë shkelje të ligjit – drejtori i DKA-së, policia e krimeve ekonomike dhe në një mënyrë edhe unë vet”, the Buduri. “Për të gjitha veprimet e ndërmarra kam qenë i detyruar të veprojë nga drejtori Çoçaj”.

Pritet të ngritët akuzë ndaj drejtorit Çoçaj

Policia në Prizren, përkatësisht krimet ekonomike, kanë ngritur kallëzim penal ndaj drejtorit të DKA-së, Nexhat Çoçaj, për dyshimet në kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe autorizimit.

Lënda ka shkuar në Prokurorinë Publike të Qarkut në Prizren. Prokurori i çështjes Bajram Hamitaga tha për Gazetën JnK se rasti është në fazën e hetimeve dhe sapo të marrë në pyetje palët e dyshuara, do të vendosë edhe për ngritje të akuzës.

foto  
Nexhat Çoçaj, drejtor i DKA, Prizren  

 

Drejtori i arsimit Çoçaj kishte aktakuzë edhe në vitin 2009.

Pronari i kompanisë “Shpejtimi”, Ekrem Veselaj, kishte bërë padi në Prokurorinë e Qarkut duke deklaruar se i është shkaktuar dëm nga fitimi i humbur në vlerë prej 40,250 euro po për ekskursione.

“Shpejtimi” thoshte ishte një nga kompanitë e pakta që konkurruan, që posedonte licencë dhe i plotësonte të gjitha kushtet, dhe kishte ofruar çmimin më të lirë – 108 euro për nxënës. Ndërsa kompanitë fituese kishin ofruar çmim prej 115 eurosh.

Aktakuza e ngritur nga prokuroria për këtë rast dhe e konfirmuar nga Gjykata e Qarkut në Prizren, i ngarkon drejtorin e DKA-së, Nexhat Çoçaj, së bashku me dy zyrtarë tjerë të arsimit se më 9 maj 2009, me qëllim fitimi të dobisë pasurore, e shpërdoruan detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare.

Sipas aktakuzës, megjithëse firma transportuese “Shpejtimi” nga Suhareka i plotësonte kriteret për tenderin lidhur me dërgimin e maturantëve të shkollave të mesme të Prizrenit në bregdetin e Shqipërisë, të akuzuarit nuk e përfillën ftesën për ofertë dhe si fitues shpallën firma më të shtrenjta dhe të cilat nuk ishin të licencuara nga MTI (Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë).

Ata që ia panë sherrin kësaj pune ishin maturantët , të cilët mbetën në rrugë 16 orë të tëra, nga ora 18 deri ditën e nesërme në ora 10, kur kishin ardhur kompani të tjera, që ishin të licencuara dhe i morën nxënësit për t’i dërguar në pushime. Me kompanitë e thirrura të nesërmen, DKA nënshkroi kontratat buzë lumit “Drin”.

Gjykata e Qarkut në Prizren, në shtator të 2011, ka filluar shqyrtimin kryesor për këtë çështje. Pas zhvillimit të seancave gjyqësore, pritet që të merret aktgjykimi për këtë vepër, për të cilën ligji ka paraparë maksimumin e dënimit deri në tetë vite burgim.

Probleme me tender edhe në Suharekë

Arton Bytyqi, pronar i “Saba Group”, thotë se ka konkurruar së bashku me tri kompani tjera të cilat kishin ofertuar me çmim prej 90 eurove për nxënës. Ai kishte ofruar 81 euro për nxënës dhe me kushte identike me kompanitë tjera që garonin për dy shkolla të mesme sa ka ky qytet.

Bytyqi thotë se kompania e tij padrejtësisht është eliminuar nga tenderi në muajin maj, vetëm “pse nuk ka shtruar dreka e darka për drejtorin komunal të arsimit” ndonëse oferta ishte 11.178 euro më e lirë.

foto  
Arton Bytyqi, “Saba Group”  

 

“Jam anuluar nga tenderi se nuk i kam pasur punët mirë me drejtorin”, shprehet Bytyqi. “Drejtori së bashku me pronarin e kompanisë ‘Jeta’, një ditë para tenderit, kanë shkuar së bashku në Shqipëri dhe kanë hangër dreka e i kanë planifikuar punët për tenderim”.

Tenderin e kishte fituar “Jeta Tours”. Pastaj ajo ka bërë kontrata edhe me kompanitë tjera, ndër to edhe me kompaninë e “ Saba Tours”, mirëpo këtë kontratën e fundit e kishte anuluar.

 “Tani unë e kam paditur kompaninë ‘Jeta’ për mosrespektim të kontratës, sepse kam pas me i dërgu 4 autobusë në Shqipëri dhe ajo nuk e ka respektuar kontratën. Në të ardhmen pritet që ta padis edhe drejtorin e arsimit”,  tha Bytyqi, për Gazetën JnK.

Akuzat e ngritura nga kompania “Saba Group”, i mohuan si Drejtori i DKA-së, Xhemajli Shala, dhe pronari i kompanisë “Jeta Tours”, Bexhet Kuqi.

“Unë nuk kam kurrfarë lidhje me drejtorin, përveç që jetojmë në një lagje. Nuk kam qenë në Shqipëri me të para se të fitoj tenderin. E di që më ka paditë ‘Saba Group’,mirëpo për këto shpifje që janë bërë ndaj kompanisë time do ta padisë edhe unë Arton Bytyqin”, tha Bexhet Kuqi, nga kompania “Jeta”.

Ndërsa drejtori i DKA-së në Suharekë, Xhemajli Shala, tha se akuzat ndaj tij “janë shpifje”.

“Është e pandershme që të bëhet një gjë e tillë, nga një kompani. Ne kemi përzgjedhur kompanitë më të mira, që kanë shkuar në interes të nxënësve”, tha ai.

Në Gjilan përzihet kryetari i komunës


Në planifikimin e udhëtimit në Shqipëri, të cilin maturantët e Gjimnazit “Zenel Hajdini” në  Gjilan e kanë ëndërruar për shumë vite, u është përzier një person me të cilin nuk kanë menduar se do të kenë punë – Qemajl Mustafa, kryetari i komunës së Gjilanit.

Udhëtimi i nisur të premten, më 28 shtator, zgjatë pesë ditë e gjashtë netë. Për këtë udhëtim, 900 maturantët e këtij gjimnazi, në total duhet të paguajnë rreth 90 mijë euro. Por ata udhëtojnë me kompani që nuk i kishin pasur zgjedhje të preferuara, “Albatros” dhe “Sharr Travel”.

foto  
Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit  

 

Këto kompani ishin përzgjedhur me ndërhyrjen e kryetarit të komunës.

Sipas Udhëzimit Administrativ 35/2008, Drejtoria Komunale për Arsim në bashkëpunim me drejtorët e shkollave dhe një anëtar nga Ministria duhet të merren me planifikim dhe përzgjedhje kompanish për të udhëtuar në Shqipëri. Aty askund nuk përmendet kryetari i komunës.

Mustafa thotë se këtë e ka bërë për arsye të forta. Thotë se këtë e bën për t’iu garantuar nxënësve pushim me kompani serioze e të sigurta. Sipas Mustafës, dy kompanitë fituese ofrojnë kushte më të mira dhe siguri pasi kanë përvojë më të gjatë se sa një kompani e përzgjedhur nga komisioni përkatës që përfshinte nxënësit dhe prindërit.

Ajo ishte kompania “Kla-Xhu”, që ka një kompleks disa-hektarësh në Malin e Robit, me pronar Zekri Sefën nga Gjilani. Kompania kishte ofruar çmimin më të lirë dhe për secilën klasë tre-katër nxënës me kushte më të vështira mund të udhëtonin falas. Ajo po ashtu organizon ekskursionin e shkollës së mesme të mjekësisë në qytet.

Telashet kanë nisur me 19 shtator, në momentin kur janë hapur ofertat e shtatë kompanive konkurruese për t’i transportuar dhe akomoduar maturantët e të gjitha shkollave të mesme në Gjilan. Zekri Sefa, pronar i kompleksit “Kla-Xhu” në Malin e Robit në Shqipëri, thotë se oferta e tij ishte më e lira dhe pretendon se ofronte kushtet më të mira të udhëtimit, sigurisë dhe akomodimit, në një hapësirë prej tre hektarësh.

“Oferta ime fitoi për Shkollën e Mesme të Mjekësisë ‘Asllan Elezi’ me rreth 400 nxënës. Për Gjimnaz kisha ofertën 92 euro për person, zbritje prej 6 për qind dhe lirim për maturantët me kushte të rënda sociale, të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve”, thotë Sefa për Gazetën Jeta në Kosovë. “Kompanitë tjera ‘Albatros’ dhe ‘Sharri Travel’ kishin çmim 100 euro për nxënës dhe më pak zbritje”, thotë ai.

“Kryetari Mustafa ka tentuar ta bindë drejtorin e shkollës ta marrin kompaninë tjetër, por ata nuk kanë pranuar. Më vonë kompania konkurrente, pasi janë hapur ofertat, e ka zbritur çmimin në 95 euro për person”, thotë Sefa.

Kompanitë fituese thonë se këto pohime janë dezinformata, pasi që në fillim kishin ofertuar me 95 euro dhe 5 për qind zbritje për kategoritë në disavantazh.

Drejtori i shkollës, Zejnullah Zejnullahu, ka konfirmuar se ka ndërhyrë kryetari i komunës duke thënë se e njeh kompanitë dhe e di se mund të ofrojnë kushte të përshtatshme.

Po ashtu, ky udhëtim do të bëhet pa dëshirën e nxënësve. Javën e kaluar kryetarët e klasave kanë mbajtur mbledhje dhe këtë çështje e kanë hedhur në votim. “16 vota ishin për të udhëtuar në ‘kla-Xhu’, 1 abstenim dhe 3 vota ishin për kompaninë ‘Albatros’”, thotë Muhamet Azizi, kryetar i Këshillit të Nxënësve në këtë shkollë.

Kryetari i komunës Mustafa thotë se kompania Kla-Xhu kishte fituar në konkurs që të organizonte ekskursionin për 400 nxënës të mjekësisë, kurse donte të fitonte edhe të drejtën e organizimit të tij edhe për 900 nxënësit e gjimnazit.

Ai tha se kjo kompani ishte e re dhe jo me shumë përvojë.

“Sefa (drejtuesi i kompanisë Kla-Xhu) ka angazhuar matrapazë që unë të ndikojë që operatorët e tjerë t’i dërgojnë nxënësit në hotelet e tij. Ka qenë një njeri nga Cernica që më ka kontaktuar për këtë, e që unë nuk e kam pranuar. Në prapavi këtu është një mikrokrim i organizuar”, tha Mustafa.

Në pyetjen se përse është involvuar kur sipas Udhëzimit Administrativ ekskursionet nuk hyjnë në fushën e përgjegjësisë së tij, Mustafa është përgjigjur: “Kur dikush përzien gishtat në këtë punë, kush tjetër përveç kryetarit duhet të merret me të?”.

Por, kompania Kla-Xhu, që hedh poshtë këto pohime, akuzon në anën tjetër. “Dyshoj se kjo është krejt korrupsion. Asgjë tjetër”, tha Zekri Sefa.