Dy Muajt e Fundit, Bilanc i Rëndë në Trafik

Ndryshimi i temperaturave që kanë ndikuar në përkeqësimin e kushteve në rrugë gjatë dy muajve të fundit kanë rritur edhe pasojat në trafik duke e çuar në 20 numrin e vdekjeve si pasojë e aksidenteve.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, muaji tetor ka rezultuar me 7 aksidente fatale dhe me 7 të vdekur në ato aksidente, ndërsa në muajin nëntor janë raportuar 13 aksidente fatale me 14 të vdekur.

Gjatë muajit tetor janë shënuar 550 aksidente me lëndime, me gjithsej 944 persona të lënduar, ndërsa në muajin nëntor janë shënuar 543 aksidente me 914 persona të lënduar.

Sipas policisë, gjatë periudhës 7 tetor- 14 nëntor kanë ndodhur 2,830 aksidente.

Policia ka apeluar që pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti drejtuesit e automjeteve, të kenë kujdes në këtë periudhë kur kushtet atmosferike janë përkeqësuar.

“Policia e Kosovës me njësitet e saj vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve dhe krijimit të një sigurie më të madhe për të gjithë”, thuhet në përgjigjen e policisë për Kallxo.com.

KALLXO.com gjatë ditëve të fundit, ka shkruar për aksidentet që kanë ndodhur në Kosovë.

Mbrëmë pesë persona janë goditur nga një veturë në një fshat të Drenasit

Mëngjesin e sotëm, një person ka ndërruar jetë pasi është goditur nga një veturë në rrugën Skenderaj- Drenas.

Një person tjetër është goditur sot me veturë rreth orës 12:00 afër shkollës ekonomike në Prishtinë.