Zyra Qendrore e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal "Mitrovica" | Foto: KRU "Mitrovica"

Dy Javë pa Ujë për Shkak të Borxhit

Banorët e fshatit Kçiq në Mitrovicë kanë mbetur pa ujë për dy javë me radhë për shkak se KEDS/KESCO ua ka ndërprerë rrymën pompave përmes të cilave këta banorë furnizohen me ujë.

“Ndërprerja e energjisë elektrike nga ana e KEDS/KESCO për pompat ndodh për shkak se kemi borxhe ndaj tyre” tha Niman Baliu, ushtrues detyre i Zyrtarit Kryesor Financiar në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

Nga ana tjetër Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS/KESCO tha për KALLXO.com se ata e kanë obligim ligjor që t’i trajtojnë të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë.

“Arsyeja e ndërprejes së energjisë elektrike të këtij konsumatori, pra pompave të ujit në fshatin Kçiq është borxhi në shumën prej 4769.05 euro” tha Buzhala.

Drejtuesit e ujësjellësit “Mitrovica” ankohen se pagesa mujore e banorëve të fshatit Kçiq është më e vogël sesa fatura mujore për stacionin e pompimit dhe se nuk i mbulon as shpenzimet e stacionit të pompave.

“Në vazhdimësi kemi dërguar personelin tonë në fshat dhe kemi kërkuar që të kryhet pagesa e faturave. Po ashtu kemi biseduar edhe me përfaqësuesit të cilët na kanë vizituar në zyrat tona dhe ua kemi sqaruar çështjen e pagesave të energjisë elektrike” tha Niman Baliu nga ujësjellësi “Mitrovica”.

Borxhi i përgjithshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” kundrejt KEDS/KESCO është rreth 424 mijë euro.

“Borxhi jonë ndaj KEK-ut ishte 306.164 euro kurse ndaj KEDS/KESCO është 117.724 euro” përfundoi Baliu.

Edhe pse e ka këtë shumë të borxhit ndaj kompanive për furnizim me energjie lektrike dhe faturim të saj, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” për çdo vit ka marrë subvencione nga qeveria e Republikës së Kosovës.

Shumën e subvencioneve në tre vjetët e fundit e tregon Niman Baliu për KALLXO.com.

“Subvencionet e pranuara sipas viteve janë, 2014 =1.016.735 €; 2015 =347.394 € si dhe 2016 =816.848 €”, përfundoi Baliu.