Bahtiri viziton fshatit Kçiq i Madh pas raportimeve për vjedhje

Pas raportimeve për rastet e fundit të vjedhjeve në fshatin Kçiq të Madh të Mitrovicës së Jugut dhe kërkesave të banorëve për ofrimin e ndihmës, kryetari i kësaj komunë Agim Bahtiri, sot ka qëndruar në këtë fshat ku ka takuar kryesinë e fshatit

Qëllimi i këtij takimi ishte të njoftohen banorët lidhur me menaxhimin e situatës së sigurisë në fshatin Kçiq të Madh, paraqitja e shqetësimeve dhe kërkesat e banorëve, si dhe ofrimi i mbështetjes nga institucionet përgjegjëse, lidhur me rastet e fundit të vjedhjeve në shtëpitë e banorëve të këtij fshati, thuhet në njoftimin e komunës.

Bashkë me Bahtirin, ishin edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, si dhe komandanti i Policisë së Stacionit Jugor në Mitrovicë, Ahmet Xhosha, me zyrtarë policorë.

Bahtiri, ka thënë se qëllimi kryesor i vizitës së tij në fshatin Kçiq ishte ofrimi i mbështetjes maksimale nga ana e komunës dhe e Policisë së Kosovës, për t’iu ndihmuar në aspektin e sigurisë dhe përkrahjen e kërkesave apo shqetësimeve të tyre.

“Jemi të vetëdijshëm secili prej nesh që po përballemi me pandeminë CoVid-19 e përhapur në gjithë botën, dhe numrin e madh të personave që po preken nga ky virus, dhe të dalin persona të tillë e të sjellin probleme e pasiguri në familjet tuaja është e pa tolerueshme, dhe nuk është e drejtë që në këtë gjendje që jemi si shoqëri të përballemi edhe me raste të vjedhjeve. Prandaj ne si institucione sot jemi këtu me një qëllim të vetëm që t’u ofrojmë mbështetjen e plotë si nga ana e komunës, ashtu edhe nga Policia e Kosovës, që këta njerëz që po kryejnë këto vjedhje të vendosen para ligjit, andaj nuk keni nevojë të bëni panik, dhe të krijoni pasiguri në familjet tuaja”, ka thënë Bahtiri.

Kurse  komandanti i Policisë, Ahmet Xhosha, ka potencuar se Policia e Stacionit Jugor në Mitrovicë pas rasteve të vjedhjeve që kanë ndodhur këto ditë në fshat, ka ngritur menjëherë kapacitetet operative, ku janë angazhuar zyrtarë policor dhe të hetuesisë për të arritur zbulimin e këtyre rasteve, por që nevojitet edhe bashkëpunimi i mirë me banorët, në mënyrë që kryerësit e veprave të dalin para ligjit.

“Ne si Polici jemi të organizuar mjaft mirë, pasi që raste të vjedhjeve kanë ndodhur edhe nëpër vende tjera, dhe jemi të përgatitur në këtë drejtim. Policia do të jetë rregullisht në fshatin Kçiq për të monitoruar gjendjen dhe krijimin e sigurisë në këtë vend”, shtoi Xhosha.

Gjatë kësaj vizite institucionet komunale kanë kërkuar nga kryesia dhe banorët që jetojnë në këtë fshat të zgjedhin një përfaqësues legjitim të fshatit që paraqet kërkesat dhe shqetësimet duke u thirrur në emër të të gjithë banorëve.